nishimura-ditaretebrazili1

Teknologjia…

FIFA debutoi teknologjinë e vijës së golit që do të shërbej për të shmangur gabimet si ai turpërues që eliminoi Anglinë para katër viteve.

Por, kjo nuk mjaftoi. Derisa FIFA ka milionat e miliardat nëpër qarkullim, megjithatë vendos që të largoj gjyqtarët e vijave fundore që i kemi në shumicën e kampionateve kombëtare. Ndoshta një gjyqtar i tillë do të shpëtonte ndeshjen hapëse dhe gjithë atë turp që i solli Nishimura të gjithëve të përfshirë mbrëmë.

Nuk ishte penallti sot e një mijë vjet. Por, mësuam se jo vetëm Neymar, i cili në fakt ndoshta edhe do të duhej të ishte përjashtuar për atë goditje të qëllimtë, edhe pse ky mendim është paksa i tepruar; por edhe Fred di të simuloj goxha mirë. Si mos ta bëj kur jo vetëm ai, por i tërë reparti sulmuesi i Brazilit pati një natë për tu harruar.

Brazili…

Harro tre golat, Brazili me këtë lojë nuk mund të kalojë as rrethin e parë eliminator. Vetëm dy qendërmbrojtësit që janë në nivel për të mbrojtur ngjyrat e shkollës së futbollit. Të tjerët nuk janë në nivel që kanë qenë brazilianët së paku në dy dekadat e fundit.

Nuk ishte një Brazil që jemi mësuar të dominoj, shumë larg asaj që prisja. Krahët e sulmit, Hulk dhe Neymar dështuan. Golat që shënoi ky i fundit ishin paaftësi e Pletikosas për ti mbrojtur. E Fred është larg 9shit që duhet të ketë Brazili.

Nuk ka koherencë, nuk ka harmoni në këtë skuadër, dhe fajtori kryesor është Scolari që ka lënë disa emra, si veteran edhe ashtu të talentuar, jashtë kësaj kombëtare.

Kroacia…

E Kovac kishte vendosur tre veteranë në skuadër. Derisa Srna realizoi detyrën me sukses, Pletikosa dhe Olic dështuan. Prania e Olicit në fushë si veteran vetëm sa mundoi Kroacinë në shumë raste. Kontributi i tij në sulm nuk mungoi, edhe në ndaljen e Marcelos, por, sidoqoftë e teproi me driblime disa herë. Kroatët ishin shumë të mirë në kundërsulme. Edhe mbrojtja ishte në nivel, ngjashëm si me vijën defanzive të mesfushës. Kovacic dështoi në lidhjen e reparteve, ndoshta edhe për shkak të papërvojës në gara të këtilla. Por, kjo nuk i pengo Vrsaljkos që pati një ndeshje të mirë në anën e majtë.

Presioni dhe mungesa e Manduzikicit dëmtuan Kroacinë, por asgjë më shumë se gjyqtari katastrofik.

Anglezët…

E për gjyqtarë të futbollit në kësi garash na duhen sa më shumë anglezë e gjerman. Sidomos anglezët që lejojnë më shumë luftë në fushë, më shumë duele, dhe më lojë ‘burrërore’. Për Zotin nuk jemi duke bërë patinazh akulli, një sport me të cilin ndoshta Nishimura është i njohur. E kam frikë se do të kemi edhe më të dobët se Nishimura, e gabime edhe më trashanike. Ndoshta është koha të bëhen ndryshime më radikale sa i përket ndarjes së drejtësisë. Teknologjia nuk është e domosdoshme më shumë, por ‘reprizat’ në vendime si penalltitë dhe përjashtimet nga ndeshja nuk do të bënin keq. Mund të kemi dy-tri raste në tërë ndeshjen.

E kjo më së pari mund të ndodh në MLS, pasi amerikanët nuk frikësohen nga teknologjia. Ata kanë vendosur këtë vit edhe reprizat në bejsboll, e në sportet tjera amerikane kanë qenë goxha kohë. Por, nuk mund të presim ndryshime për të mirë nga hajdutë si Blatteri dhe jaranët e tij.

Sonte…

Meksika mendoj që është favorite si kundër Kamerunit, si në kalimin e grupit para Kroacisë. Në reprizën e finales kemi një Spanjë të komponuar mirë dhe një Holandë të rinuar. Australia është pa veteran, pa përvojë kundër një Kili që nëse përsërit atë që kishte para katër viteve mund ti sjell kokëçarje dy favoritëve nga grupi B.

18:00     Meksika – Kameruni                       K4 (RTK1HD)/RTSH/MKTV

21:00     Spanja – Holanda                             K4 (RTK1HD)/RTSH/MKTV

00:00     Kili – Australia                                    K4 (RTK1HD)/RTSH/MKTV

 

Luan Morina

Kolumnist për Shqipmedia