Categories
Milan

Kurorëzimi i Princit

Duhet të presim lëndimin e Ambrosinit që të dalin pah aftësitë e Kevin Princ Boateng. Ai ka mahnitur me motimin, dëshirën e tij për tu shfaqur në çdo cep të fushës. Ai ngjalli mesfushën e cila deri në daljen e Ambrosinit, si zakonisht ishte e vdekur. Pjesëloja e parë ishte tepër e mërzitshme. Milani shpëtoi vetëm pse mysafirët u treguan të papërvojë dhe egoist (si në rastin e Lanzhil). Mbrojtja dhe mesfusha u tregua shumë e ngathët në disa raste të cilat për fat tanin nuk u konkretizuan nga mysafirët. Nesta edhe nëse nuk është në formën më të mirë, vetëm me emrin e tij sjell më shumë siguri në mbrojtje. Megjithatë Bonera nuk është një qendërmbrojtës cilësorë. Gjithashtu edhe aktivizimi i tij herë si mbrojtës anësorë e herë si qendërmbrojtës krijon konfuzion në lojën e tij. Allegri duhet të përcaktohet se ku e sheh Boneran. Antonini ka pasur një depërtim të mirë dhe të jem i sinqertë ka pasur një lojë relativisht të mirë, por nostalgjia për Malldini, dhe fakti se Antonini duhet të zëvëndësojë një Malldin më mban inferior për cilësitë e këtij lojtari. Zambrota më në fund është kthyer në anën e djathtë, aty ku duhet të jetë. Është fakt që është plakur dhe ka humbur shumë në shpejtësinë e tij eksplozive por përkundër kësaj ka qenë shumë më funksional se Bonera javën e kaluar.

Në mesfushë Pirlo vazhdon me të vjetrën. E vetmja që mund të shpresoj për këtë lojtar është ajo që i ndodhi Ambrosinit. Me largimin në njëfarë mënyre të tij nga loja, dhe futjen e Ronaldinjos në plan të parë, loja ishte shumë më kreative dhe e frytshme në pjesëlojën e dytë. Ky formacion nuk i përshtatet Pirlos dhe është shumë më mirë të luajmë pa atë se me atë. Edhe Sedorf është plakur dhe një gjuajtje që para katër pesë viteve do të finalizohej me një super gol, tani përfundon 30 metra larg portës. Edhe ai mëzi po mban veten në këtë skuadër. Do të jetë viti i fundit i tij në Milan dhe shpresoj edhe për Gatuzon e Ambrosinin. Pirlo ka kontratë deri më 2012 me sa e di unë, por nuk i nevojitet as ai Milanit më. Nëse dëshirojnë të mbesin në zemrat e milanistëve duhet të largohen tani me kokë ngritur e jo të bëhen si rasti i Kaladzes që do të gëzonte të gjitha milanistat kur të largohen.
Kevin Prins Boateng ishte ai që shkëlqeu. Po të ishte ai në vendin e Gatuzos të shtunën ne do të shkatërronim Çezenën. Vrapoi më shumë se sa Sedorf, Pirlo e Ambrosini së bashku. Kishte ndërhyrje me vend dhe në kohë të duhur. E besa edhe pasimet si të gjata edhe të shkurtëra ishin fantastike (edhe më të mira se ai që duhej të pasonte, Pirlo). Depërtimet e tij në zonë hutonin mbrojtjen e Okserr duke krijuar hapësirë për sulmuesit anësorë dhe mesfushën tjetër. Kjo u vërejt tek asistimi në golin e parë, e edhe në disa raste tjera sikur ishte ajo gjuajtja nga ana e djathtë. Princ mahniti të gjithë dhe së bashku me Flaminin do të përbënin një mesfushë fantastike të Milanit.

Ibrahimoviç ishte në hije deri në golin e parë. Goli i tij i dytë ishte mjeshtëri. Ua mbylli gojën të gjithëve që paragjykonin suksesin e tij. Hapja e tij, shënimi në ndeshjen e dytë jep shpresë për një sezonë të mirë të tij në Milan. Që nga largimi i Shevçenkos Milani nuk ka pasur sulmues stabil. Për më shumë të gjithë transferet që kemi pasur nuk kanë funksionuar. Gjilardinjos e Huntelarit iu nevojiten muaj për të shënuar golin e parë, Oliveira nuk bëri shumë gjëra pas ndeshjes së parë, ndërsa Ronalldo me gjithë debutimin fantastik, nuk arriti të mbijetonte lëndimet. I vetmi që akoma po funksionon është Pato, i cili po mundohet të jetë faktor vendosës në skuadër, por akoma është pak egoist. Gjithashtu lëndimet nuk po e lënë të “hap sytë” mirë. Ronaldinjos po i pengon pozita e anësorit. Pjesëloja e dytë ishte fantastike per atë kur e mori në dorë organizimin e lojës dhe hoqi dorë të priste këtë gjë nga Pirlo e Sedorf. Kjo duhet të jetë strategjia e Milanit, të vendos Ronaldinjon si organizator, e të largojë ata dy. Njeriu ka akoma kreativitet, ka ide, ka skenare për lojë. Kjo u pa në pjesëlojën e dytë ndaj Okserrit kur asistoi për golin e dytë në mesin e disa aksioneve mjaft të mira të nisura nga ai.
Robinjo akoma nuk është adaptuar dhe lëndimi i Patos në një mënyrë mund ta ndihmojë adaptimin e tij duke i dhënë më shumë hapësirë. Ky lojtar ka një ardhmëri më të madhe dhe më të gjatë se Ibra në Milan.

Për fund dy lëndimet e Patos dhe Ambrosinit mund të shfrytëzohen mjaft mirë, sidomos ai i Ambrosinit. Gjithashtu incidenti i Ibrës me Sakin është një gafë e Ibrës që nuk do ti shkoj për shtati. Saki ndoshta fol shumë, por fol sepse di shumë. Ai ka bërë Milanin modern, dhe jo vetëm Milanin por edhe futbolli modern sot është “krijesë” e atij “llafazanit” Saki. Të kuptoj një gjë Ibra. Kurrë nuk do të mund të bëhet më i mençur dhe më i dashur se Saki.

Luan Morina

Për ACMilan – Shqip