Categories
Milan

Kush ka faj?!

 

Edhe një e hënë tjetër zgjohemi të dëshpruar nga trilleri i natës të kaluar, duke mësuar se jeta ka zbaticat dhe baticat e saja (që i mësojmë në klasë të pestë të shkollës fillore), por megjithatë në fund gjithçka mbaron mirë për personazhet pozitive në të gjitha storiet. Edhe pse ndoshta jo gjithmonë dy më të mirët shkojnë në finalen e madhe, ata gjithnjë gjejnë mënyra të masin superioritetin ndaj njëri tjetrit, dhe gjithnjë si në shumicën e filmave ai i mirë fiton. Kjo është storia (edhe pse me spoilera) e Xhek Tajllor në filmin Kurrë mos u dorëzo (Never Back Down) që është shfaqur mbrëmë në Vizion Plus. Më herët është shfaq edhe në KTV, e besoj që shumica e adoleshentëve kanë parë këtë film më herët. E vetmja lidhje e filmit me ndeshjen e mbrëmshme të Milanit është koha e transmetimit. Të dy kanë ndarë të njëjtin orar transmetimi. Por, filmi ka qenë shumë më tepër ngazëllyes se sa ndeshja. Personalisht filmin e kam parë më herët, ndërsa fati deshi që të detyrohesha të shihja një ndeshje që t’i prish nervat. Dikush thotë që po shkruaj përsëri për të kritikuar Milanin, dhe se zakonisht kujdesem që të shkruaj pas dështimeve e jo pas sukseseve, por kjo është vetëm mendja e juaj që shtyn të mendoni në atë mënyrë. E për më tepër nuk po kam çka të shkruaj, pasi që shumicën e gjërave i kam përmendur qysh në fillim të sezonit, edhe pse shumica e komentuesve (falemnderit për komentet) s’janë pajtuar me idetë e mija që p.sh. Nestas nuk duhet t’i vazhdohet kontrata, ose që duhet të largojmë mesfushën tonë shekullore (Rino33+Ambro33+Sedorf34) dhe të bazohemi tek të rinjtë. Është përvjetori i 20 pothuajse që nga fillimi i rënies së mendimit totalitar dhe të gjithë mendojmë ndryshe dhe guxojmë ta shprehim atë. Mund të pajtohemi dhe mos të pajtohemi me të, është e drejtë e jona. Por, sa më shpesh që shkruaj aq më shumë më duket vetja si një artist ku vlera e veprave të ti del në pah shumë vjet pas ai të largohet nga kjo botë. Duhet një gjeneratë e re të del dhe të kuptoj domethënien e atyre veprave. Megjithatë nuk jam as artist e as i vdekur kështu që fjalia e mësipërme nuk ka lidhje me mua aspak. E as me juve. Në fillim të sezonit, dhe në mes të sezonit të vjeshtor, kur milanistat u gëzoshin me barazimet ndaj Realit e fitoreve minimale ndaj Interit, unë vazhdoja të kritikoja shumë çka. Ka patur edhe lojëra të mira, të shkëlqyera që i kemi bërë. Edhe do të ketë akoma më shumë, por mendimi që Allegri është zgjedhja e duhur, dhe që Milani duhet të rinovojë me “Estradën” ashtu siç më pëlqen t’i quaj është gabim. E vetmja gjë pozitive për skuadrën është përmirësimi i Abates në ndeshjet e fundit. Nuk kam pritur kaq shumë prej tij, por po tregohet i suksesshëm si mbrojtës i djathtë ofanziv. Edhe në defanziv ka luajtur mirë kundër asaj bukuroshes të Realit. Tjetër gjë pozitive është… jo s’ka, mos të harxhoj më shumë kohë.

Një rikthim i shkurtër në kohë. Kundër Kaljarit kemi pasur shumë gabime, shpëtuam sepse ata nuk realizuan sidomos shanset pas asistimeve të Abiatit dhe Boneras. Shënuam në fund sepse rinovuam mesfushën tonë me Straserin e Kasanon. Udineze nuk falte asgjë, por ne ishim “zemërgjerë” me Boneran e Sedorfin. Shyqyr që Ibrahimoviç nuk është aq “zemërgjerë” si ata të parët. I gjithë stadiumi fishkëlleu axhën Sedorf të dielën, ndërsa Allegri si duket ka qenë duke dëgjuar Umbrellan e Rihannas (shikojeni tekstin e këngës dhe do ta kuptoni). Kundër Leçes nuk kemi bërë asgjë, fare asgjë. Është mëkat që ai super gol, gol fantastik të mos sjell tri pikë. Nuk di cili njeri me mend n’kokë s’do të ndryshonte mesfushën shekullore për 90 minuta. Ata munden me pas ma shumë vjet se minuta, por nuk munden të luajnë për aq minuta. Fllamini ka qenë shumë pak i angazhuar në lojë mbrëmë, nuk ka patur topin shumë, ndoshta pse është rikthyer nga lëndimi, ndoshta strategjia e Allegrit. Por, ai është i vetmi që mund të duroj 90 minuta. Ne mbajmë rezervë Straserin, ndërsa nuk ftojmë Merkelin se nevojitet të zë vend në bankën rezervë Jepesi e Odo që kurrë nuk angazhohen e lëjmë jashtë mesfushorët. Është mëkat që njëri ndër sulmet më të rrezikshme në botë të mos ketë nga kush të ushqehet. Nuk e kemi Kakan e Shevçenkon të kthehen e të marrin topa. Ibrahimoviç nuk është lojtar i tillë, e as Pato që është më i ri dhe më me pak përvojë. S’dua të fajësoj Paton sepse nuk është detyrë e tij të krijoj aksione, por është detyrë e tij të gjuaj në portë, dhe të gjuaj në gol, jo gol të futbollit amerikan, por, këtij futbollit tonë evropian. S’mund të harroj të lë anash as mbrojtjen. Bonera është xhokeri ynë. Ai futet aty ku nuk kemi lojtarë të gatshëm, dhe kurrë nuk dështon të na shkaktoj probleme. Le të luaj mbrojtës i djathtë, i majtë, apo edhe qendërmbrojtës, ai do të jetë sulmuesi shtesë për mysafirët. Krejt e patë çfarë bëri kundër Udinezes e Kaljarit, po shyqyr që mbrëmë ishte në anën e majtë, sa më larg portës tonë, aq më mirë për ne. Nesta mund të mos duket që është plakur në fytyrë, dhe mund të jetë e vetmja temë bisede e milanistëve me milanistet që mund të ju shtyej deri në një takim ose edhe më shumë, por, kjo është e vetmja që përfitoni prej tij. Nestas nuk duhet t’i vazhdohet kontrata! Po, e kam thënë, edhe e them me zë të lartë. Më mirë tani se sa të fishkëllehet si Sedorfit vitin e ardhshëm kur do të na mposht Novara ose Empoli në San Siro. Ndoshta edhe për të vlen arsyetimi që është rikthyer nga lëndimi, por edhe nëse rikthehet në formën e tij më të mirë, kjo do t’i kryente punë vetëm skuadrave që fillojnë me Al, diku në Lindjen e Afërt, ose Perëndimin e Largët, aty ku zakonisht shkojnë djemtë e bukur, në Los Anxhelos sepse shikuesit atje s’kanë lidhje me futbollin tonë,dhe s’dëshirojnë të kalojnë 90 minuta për të parë vetëm dy gola.

Ndoshta Gatuzo përgjigjen për titullin e shkrimit dëshiron ta nxjerrë nga Pato, por, e ka gabim. Vendimet e Allegrit ishin katastrofale, janë nevojitur zëvëndësime, lojtarë më të rinj. Nesta nuk është fajtor për humbje, as Abate, as Sedorf, e as Ibra. Është Allegri ai që bën formacionin dhe strategjinë. Nuk mund të mbrohesh me Sedorfin në minutat e fundit, nevojitet Straser e pse jo edhe Merkel, e të tjerët nga të rinjtë. Sulmi është në nivel por duhet dikush t’i “ushqej” me topa ata. Goli i Ibrahimoviç ishte ndër më të mirët, që nga koha e Carit Kuqezi dhe golin e tij kundër Sampdorisë nuk kam parë gola të tillë në Milan. Nëse dikush na shpëton dhe na sjell tituj këtë vit, është ai djali që para tri viteve të gjithë qeshnin me fotografinë ku e krahasonin me një deve. Tashti është ai që shpëton Milanin. Ashtu sikur Leonardo që po rrafshon kodra me Interin. Dy gjëra që kurrë nuk janë pritur të ndodhin. Por, është futboll italian. E edhe diçka më tepër se futbolli.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina