Categories
lomsh

Kuyt fundos ManUtd – E hënë mëngjes!

 

Premier Liga

Sir Alex Ferguson nuk i ka punët aspak mirë kohëve të fundit. Humbje nga Chelsea, dhe pastaj nga Liverpool, sidomos ajo dje ishte “e merituar!”. Raul Meirelles është duke më befasuar kohëve të fundit për të mirë, ndërsa Luis Suarez vetëm po tregon atë që di të bëj më së miri. Goli i parë ishte mjeshtri e përkryer. Dhe mos të harrojmë yllin kryesor të ndeshjes së djeshme, holandezin Dirk Kuyt. Ndoshta është koha për Sir Alex të filloj të brengoset, por megjithatë gjithçka do të vendoset në fund të prillit, kur ManUtd pret Arsenal dhe udhëton në Chelsea. Jo vetëm ManUtd por edhe Chelsea e Tottenham nuk janë hiç mirë. City vazhdoi të fitoj edhe këtë javë dhe tashmë është 5 pikë dhe 2 ndeshje më shumë se Chelsea. Nejse, Chelsea është më afër dhe me ndeshjet e mbetura, përfshirë atë të kësaj jave ndaj Blackpool mund edhe të kaloj City. Por, Hotspur si duket dje ishin me mendime për të mërkurën kur presin Milanin. Ata lëshuan fitoren në fund të ndeshjes ndaj Wolves, por pas Milanit do të kenë punë me ekipe më të ulta para pritjes së City. Arsenal dështon atëherë kur nuk guxon të dështoj. Sunderland vinte në ndeshje pas 4 humbjeve radhazi dhe arriti të marrë pikë në Emirates. Tek Arsenal mendoj që po mungon përvoja në skuadër dhe presioni i madh psikologjik po ndikon që të dështojnë atëherë kur nuk duhet. Se sa janë pjekur “topxhinjtë” prej vitit të kaluar do të shihet të martën në Camp Nou.

Serie A

Milani po tregon formë të ndryshueshme. Me Napolin ishin të mrekullueshëm, ndoshta vetëm Pato ishte i mrekullueshëm, por mjaftoi për një shou të shkëlqyeshëm. Kundër Juventus diçka krejt më ndryshe. Megjithatë të fitosh ndaj Juventus nuk është lehtë, megjithë formën e dobët të “zonjës së vjetër” ata nuk lëshojnë lehtë skuadrat e mëdha konkurruese. Inter ka humbur këtu, por Milan fitoi. Inter ishte pranë humbjes, por arriti të nxjerr disi 3 pikë, duke shënuar 5 gola në pjesëlojën e dytë. Pas ardhjes së Leonardos, Inter po shënon shumë gola, por edhe po pëson shumë. Napolit nuk i bëri mirë humbja e javës së kaluar dhe disç duket ka ndikuar në përgatitjen psikologjike, pasi vetëm barazuan me Brescian. Tashti rrezikojnë edhe pozitën e katërt për Champions League, pas Lazio dhe sidomos Udinese janë në formë të mahnitshme. Montella ka ringjallur Romën duke e afruar tek zona e Champions njëkohësisht duke e larguar nga zona që le jashtë Evropës. Palermo është në devijim me katër humbje radhazi, ndërsa dy ndeshjet e ardhshme i ka kundër Genoas dhe Milanit. Luftë interesante do të jetë për mbijetesë ku mendoj që të gjitha skuadrat poshtë Genoas deri tek Brescia do të luftojnë për t’u ikur dy pozitave të parafundit në 10 xhirot e mbetura. Bari veç është dorëzuar më dhe duhet të krijoj strategji për sezonin e ardhshëm në Serie B.

Bundesliga

Pas javës së kaluar edhe këtë fundjavë gjërat vazhduan të qartësohen në Bundesliga. Bayern rrezikon seriozisht të mbesin jashtë Champions League për sezonin e ardhshëm, i cili me sa duket do të jetë i fundit ku Bundesliga do të ketë tri ekipe. Ishte përballja direkte me Hannover që i largoi bavarezët më larg zonës Champions. “Kurban” i këtij mossuksesi pritet të jetë trajneri Louis van Gaal, ai i cili vitin e fundit mbizotëroi kampionatin dhe kupën, dhe arriti në finale të Champions. Si pasardhës i tij, së paku deri në fund të sezonit, pritet të jetë Mathias Sammer. Në anën tjetër Hannover është skuadra më e suksesshme në 5 ndeshjet e fundit, 4 fitore dhe 1 barazim. Ka patur edhe ekipe tjera befasuese në atë pozitë ku është Hannover tashti. Ka qenë Frankfurt, Freiburg, e edhe Mainz që akoma është lart, por si duket Hannover e ka seriozisht luftën për Champions. Formë të mirë në xhirot të fundit po kalon edhe Nurnberg që është ngjitur deri në pozitën e gjashtë. Dortmund duket i qetë dhe i rehatshëm në krye, përderisa Stuttgart, Wolfsburg, e Bremen janë akoma befasisht në fund. Megjithatë pos Monchengladbach, dhe Kaiserslautern, është St. Pauli që më duket si kandidat kryesor për pozitën e 16-të që të dërgon në ndeshje barazh.

Primera Division

Në Spanjë shumë gjëra janë qartësuar. Reali nuk mund të arrijë Barcelonën, as Valencia Realin, e as Bilbao Villarrealin. Zona Champions dhe kampioni janë të përcaktuar praktikisht pasi kjo është Liga e Spanjës dhe ndryshime radikale nuk besoj që mund të ndodhin. Bilbao fitoi pas 4 humbjeve radhazi, ndërsa në anën tjetër, Espanyol pësoi humbjen e gjashtë në 7 ndeshjet e fundit. Pikërisht kjo formë e Bilbaos dhe Espanyolit na bën të shpresojmë për një luftë më të gjallë për 3 pozitat që dërgojnë në Europa League, pozitat 5-7, pasi të dy finalistët e kupës tashmë praktikisht do të jenë në Champions League. Njëjtë do të jetë edhe lufta për mbijetesë, dhe nuk do të menjanoja akoma as Malagan edhe pse nuk duket se ka ndonjë shpresë për ata.

Kolumna javore sportive përgatitet nga Luan Morina