Categories
TV Reviews

La Casa del Papel – Pjesa 3 (me spoilera)

Në aspektin kreativ, nuk kishte nevojë. Sidoqoftë, ari i gjelbër është mbi të gjitha në këtë kohën e kapitalizmit, dhe rrjedhimisht do të kemi edhe sezon të katërt nëse numrat e Netflixit janë për mësysh.

Pjesa e tretë nisë në mënyrën që s’do ta prisnim shumica – Arturo është bërë inspirues, njeri që mëson të tjerët si të jetojnë. Ndonëse kjo mund të jetë goditja e parë bash kundër neoliberalizmit – frikacakët e dështakët na mësojnë ‘si të jetojmë’ gjersa vetëm mjelin arin e gjelbër!

E dimë që vet seria është një ide kundër kapitalizmit dhe në vete mban një socializëm, komunizëm të fshehtë, nisur nga Bella Ciao deri tek përgatitja për aksionin e radhës! S’do të përmendi detaje, por vetëm një vlerësim të përgjithshëm para se të kalojmë në spoilera.

Për dallim prej dy pjesëve të kaluara, pjesa e tretë e ‘La Casa del Papel’ vërtetë na bënë të dyshojmë në aftësitë e tyre për t’ia dalë qëllimit. Vet sezoni nis me kapjen e njërit prej tyre, që ofron një baraspeshë ndërmjet dy palëve të tregimit. Tetë episode nuk janë shumë, nuk ka shumë bredhje të panevojshme anash tregimit sikur në pjesët e kaluara me lidhjet emocionale të karaktereve kryesore. Më shumë mbesim në tema, pa u thelluar në historitë që tashmë i dimë. Nuk lodhen as për historitë e karaktereve të reja, dhe kjo na bën ta kalojmë më lehtë sezonin. Për tetë orë mund ta përfundoni.

Nuk është më i dobët se pjesët e kaluara, është më i pasigurt (së paku për mua) dhe më ‘për toke’. Sigurisht që nuk e ka freskinë e pjesëve të para pasi tashmë jemi të familjarizuar me përmbajtjen, e as kreativiteti nuk është aq i panjohur tashmë për neve. Arsyet pse pjesa e tretë merr notën në vijim janë tek spoilerat poshtë. Nota personale: 4/5.

SPOILERAAAAAA

E përmenda më lart, e mira e kësaj pjese është se gjërat janë më për toke. Arsyeja e parë – gjithçka që bëjnë mund ta arsyetojmë në paratë që i kanë marrë në dy pjesët e para, nga balonat deri tek armatimet.

Profesori është i njëjti me planet e tija, duket të ketë menduar mirë e mirë çdo pjesë të planit. Por, përsëri dështon tek emocionet. Fundi mund të ishte shumë më i mirë po të mbesnim pa Rakelin. Por, në anën tjetër përparësia kalon tek zëvendësuesja e Rakelit, Alisia. Aktrimi i saj ishte i tepërt dhe ia doli me sukses të marrë rolin e antagonistes. E vetmja antagoniste e cila përfundoi pjesën me epërsi, përkundër se dukej të ishte mposhtur gjatë rrëfimit të Rios.

Derisa mbetemi me Rakelin për të cilën s’do të na pengonte aq shumë neve, por jashtëzakonisht Profesorit edhe vazhdimit të tregimit (dhe nja dy-tri pjesëve të ardhshme, gjë që e dëshmon edhe eskalimi në luftë), e humbim ndoshta më të mirën nga krejt skuadra – Nairobin!

Që nga fillimi, Nairobi ka qenë ai karakteri më i mbyllur dhe më i hareshëm, e cila ka lëvizur në të dy anët e peshores kurrë pa prekur skajin. Sigurisht që ekziston mundësia të mbetet gjallë edhe për pjesën e katërt, por do të ishte e tepër të shpëtonin të gjithë. Prandaj mendoj se ka përfunduar punën e saj këtu.

Nuk e di çka e pse na u desh Arturo, i cili përkundër budallallëqeve pati atë momentin kur Denveri brenda dhe ajo ‘Arturito?’ Berlini erdhi si karakter nga e kaluara, një tregim që ishte ndërtuar mirë, sidomos me shtimin e karakterit të ri, kokës së krejt aksionit në Bankën Qendrore të Spanjës. E prej të rinjve me skuadrën, Monika pati momentet e saja, sidomos me Nairobin e Arturiton. Për Tokion e Rion s’dua të flasë…

Tashti, në pjesën e katërt mbetet të shohim se si do të shpëtojnë e kush do të shpëtojë. Pati momente shumë interesante, disa edhe komike, që në një mënyrë ndoshta na bëjnë të ndjehemi keq pse përkrahim ‘terroristët’. Por, të gjithë (duhet) të jemi Robin Hood në vete pak. Paaak.