“Ju nuk dini gjithçka për jetën kur jeni 18. Ju nuk do të dini gjithçka për jetën as kur të jeni 24, 32, 40, 43, 49, 52, 55, ose LXII. Kjo më erdhi si befasi edhe mua. Ju mësoni gjëra nga përvoja dhe gabimet, por gjithmonë do të ketë diçka për të mësuar si shkon jeta….” – Rick Bruno (ni njeri në Quora – https://www.quora.com/What-should-you-never-believe-in-life/answer/Rick-Bruno-1)
Njëherë dikush më pat pyetur si mund që dikush që dje ka pasur 17 vjet e 364 ditë të mos guxoj të bëj gati njëqind gjëra të cilat do të mund ti bënte sot kur ka 18 vjet. Si është e mundur që pjekuria e këtillë të arrihet brenda një dite të vetme?
Lady Bird është një vajzë, e vet-quajtur kështu, e cila rritet në një paralagje të Sacramentos që është kryeqyteti i Kalifornisë, por si zakonisht të gjithë që nuk shikojnë basketboll, kurrë nuk kanë dëgjuar për këtë vend që mbetet nën hije të Los Anxhelosit.
Karakteri i Lady Bird vjen si një gjysmë-autobiografi e Greta Gerwig. Aktore, regjisore, skenariste, të gjitha i ka bërë në karrierën e saj jo aq të gjatë Gerwig. Dhe mund të them me shumë bindje që të gjitha këto i ka bërë me një punë të lavdëruar.
Gerwig bën edhe regjinë edhe skenarin e një filmi që si të dyja këto aspekte të filmi, del një film i mençur që ka dialogë mirë të thurur, të cilët përhapen në situata dhe relacione të ndryshme ndërmjet karaktereve.
Asgjë nuk kalon lidhjen që Lady Bird ka me nënën e saj. Nuk është një lidhje në të cilën skenaristja zhytet thellë për të nxjerr në sipërfaqe histori emocionale në ekstrem. Përkundrazi mbetet në sipërfaqe, por megjithatë prek tema që e rrisin Lady Bird, tema siç janë ekonomia familjare, dhe probleme të ngjashme. Është një mënyrë tjetër që pjek Lady Bird, dhe njëkohësisht lidhja kryesore në film.
Për këtë arsye edhe Saoirse Ronan edhe Laurie Metcalf kanë marr nominime për Oskar. Është një lidhje nënë-bijë që këtë vit sfidon lidhjen e njëjtë që ka Tonya Harding tek filmi ‘I, Tonya’, veçse krejt me nuancë tjetër.
Aktrimi i të dyjave ndihmohet nga skenari i mbushur me dialogë mençur të shkruar.
Një dialog i tillë është ndërmjet Lady Bird dhe drejtoreshës së shkollës katolike në të cilën vijon mësimet ajo. Është një dialog që sjell në sipërfaqe dashurinë që ka dikush ndaj vendlindjes së vet. Është një ndjenjë që kemi pothuajse të gjithë, një ndjenjë që ngjallet në momentin që për herë të parë pas një kohe të gjatë shohim lagjen ku kemi kaluar fëmijërinë, me të gjitha të mirat dhe gjërat tjera. Është dialogu që i nxjerr dashurinë për vendin e saj Lady Bird, e cila këtë ndjenjë e definon vetëm si vëmendje, kujdes.
Ka edhe shumë dialogë, e momente tjera që shpërfaqin punën e mrekullueshme të Greta Gerwig në këtë film. Në këtë film që përfundon si një film i lezetshëm, i shkurtër, i lehtë, i përkryer. Nota personale: 5/5