Categories
Filma

The Last Men in Aleppo (2017) – Recensim

A e keni idenë çka është duke ndodhur në Siri?

Luftë civile po i thonë, po nëse shihni se kush është i përfshirë, sa fronte janë, do të leni në gjysmë shpjegimin, e që në fakt nuk ka shpjegim për këtë që po ndodh aty! Fronti ndërmjet SHBA-së e Rusisë; fronti ndërmjet kurdëve e Turqisë; fronti ndërmjet Shiave, Sunive, edhe Alawit; fronti ndërmjet Izraelit e Hezbollahut; dhe fronti i ISIL-it ndaj të gjithëve. Kush humb më së shumti në këtë mes?

Sigurisht që popullin nga i cili dalin Helmetet e Bardha të Alepos, me të vetmin qëllim – shpëtimin e jetëve të pafajshme.

Një jetë e pafajshme janë edhe dy bijat e njërit nga karakteret kryesore të këtij dokumentari, të cilat nisen në një shëtitje, ekskursion në atë që ka vetëm gërmadha. Gjatë këtij ekskursioni dëgjohet kënga për shoferin nga fëmijët që ndoshta për së fundmi herë po shohin gërmadhat. ‘Është argëtuese’ – përgjigjet njëra nga udhëtaret në ekskursionin që realizohet me auto-ambulancë.

Tetë vite luftë, bombardime të cilat nuk e dinë as nga kush vijnë as kur vijnë, e mbi të gjitha pse vijnë!

Mund të hedhim një trajektore me luftën tek ne, atë të cilën disa preferojnë ta quajnë vetëm konflikt. Të lindurit pas 96tës nuk e kujtojnë ashtu siç e kujtojnë ata që janë lindur në dekadën që ka përfunduar në 96tën.

Videokasetat me treshin përsheshin e Policija Akademija, thirrjet e mërgimtarëve të shtunave në TV Hana, Nintendot e ATARI-t ata që kanë pasur një të ardhur solide të gëlltitur nga hiperinflacioni historik, këngët e Sinan Vllasaliut, Adelina. Jeta ka vazhduar, ndonëse bombardime ka pasur më pak se tetë vite, për dikë tre muaj, për dikë tri vite. Së paku është ditë qëllimi, edhe armiku. Ose së paku kishim menduar se qëllimi dhe armiku ishte i njëjtë!

Edhe tek ky dokumentar shohim si më të dobëtit, më të pafajshmit pësojnë për qëllimet e tjerëve. Qëllime që sigurisht nuk përputhen me këta që janë lindur e rritur në luftë. Ndoshta edhe do të vdesin në të.

Një dialog i një fëmije të nxjerr nga gërmadhat me prindin e tij, i cili e bind se jeta është e mirë, që gjithçka ndodh për shkak të vendimit të Zotit, të bën të mendosh se ndoshta do të kishte qenë më mirë për atë fytyrë të njomë e të pafajshme të mos ishte nxjerr fare nga ajo gërmadhë.

Për çka?

Për të qenë gjithnjë cak i bombardimeve nga tetë armiq pa pikë faji? Apo për të mbetur i izoluar e i dhunuar psiqikisht për njëzet vite pas lirisë që ndoshta do të vije dikur?

Dokumentar si ky janë sy-hapës për të gjithë. Një letërnjoftim për luftën dhe qëllimet e saja. Një letërnjoftim që futbolli luhet edhe nën bombardime! Nota personale: 5/5

p.s. filmi përmban skena shumë të rënda të lufte, përfshirë fëmijë dhe kafshë të vdekura e të gjymtuara