Categories
Filma

Lawrence of Arabia (1962) – Recensim

Ajo që sot na duket e drejtë, nesër mund të jetë padrejtësia më e madhe në botë. Megjithatë, asnjëri nga ne nuk mund ta parashikojë të ardhmen, veçse kur dëshiron të arsyetoj vendimet e tija që sot janë të padrejta.

E tillë është edhe historia e veprës së T.E. Lawrence, apo njohur ndryshe si Lorenci i Arabisë.

Lorenci i Arabisë njihet si katalizatori i kryengritjeve në botën arabe gjatë 1910tave, veçanërisht gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore. Këto kryengritje i dhanë formë botës arabe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, njëkohësisht duke i dhënë edhe goditjen fatale Perandorisë Osmane. Kjo histori në pikat kryesore është përkthyer në film të gjatë gati katër orë.

Kohëzgjatja e filmit mund të ju ketë ndaluar t’i dedikoni këtij filmi deri më sot, por realizimi i tij teknik është një vepër goxha bukur e përpunuar nga David Lean. Jemi në një film ku regjisori e ka adet të shtjellojë historinë dalëngadalë e në detaje që kontribuojnë jo vetëm në estetikën e filmit, por edhe në rrëfimin në një kornizë më të gjerë si histori në vete.

Historia e Lorencit është goxha e gjerë, por filmi përqendrohet në masë të madhe tek popujt vendas duke ofruar një pasqyrë të tyre për audiencën perëndimore të viteve 1960ta. Si një revolucionar në një betejë që nuk ishte e tija, Lorenci na del në një perandori liriprurës për një vend të pushtuar. Dhe këtij roli në film për mrekulli i jep jetë Peter O’Toole.

Aktrimi i Peter O’Toole i shkon për shtati karakterit që portretizon, duke arritur të përçojë emocionet e një të huaji ndaj subjekteve sa të shtypur, aq të ndara, e edhe të pazhvilluara në çdo aspekt shoqëror. Tek ai gjejmë të dy polet e një karakteri njeriu, të bardhën për mikun e të zezën për armikun, të reflektuara në fytyrën e tij në këto 3 orë e 48 minuta aktrimi.

Alec Guinness, Anthony Quinn nga filmi i Pejgamberit, Jack Hawkins, si dhe aktori i fjalëkryqeve – Omar Sharif, vijnë në rolet tjera dytësore të gjeneralëve, princërve, e miqve të përfshirë në rrëfimin për Lorencin. Që të gjithë kryejnë punën me zell, por një e mirë e veçantë e filmit është pjesa artistike e regjisë dhe skenave.

Marr parasysh që ishte prodhuar në një kohë kur filmat me ngjyra tashmë ishin stabilizuar si e vetmja markë e kinematografisë, filmi arrin të nxjerrë më të mirën nga kjo teknikë duke shfrytëzuar pasurinë e kulturës arabe nga veprat letrare që e përshkruajnë këtë regjion me një bukuri të zjarrtë.

Lawrence of Arabia është një aventurë e këndshme, e ëmbël për syrin, e ngrohtë për zemrën. Nota personale: 5/5