Categories
TV Reviews

Legion – Sezoni 1

David Haller është skizofren.

Skizofrenia përfshin halucinacionet, deluzionet, mendimet e përziera, dhe kuptohet – ndryshimet në sjellje. Të gjitha këto për një pjesë të gjatë na bëjnë të mos e dimë se a jemi në pjesën reale, a jemi në halucinacionet e deluzionet e Davidit, apo a jemi në kujtimet e tij.

Goxha e komplikuar është ngjarja, edhe pse në shumë raste qartësohet duke hijezuar më trashë vijat ndërmjet këtyre universeve. Megjithatë kjo përzierje është një ngacmim i përkryer për trurin, dhe në veçanti vëmendjen tonë.

Gjithçka nis me Davidin i cili është duke u hetuar nga qeveria nën dyshimin se është njëri ndër mutantët më të fuqishëm që ekzistojnë. Sa për informatë, ngjarja ndodh në universin e X-Men, domethënë kemi mutantë në të gjitha anët.

Ai ka kaluar gjashtë vite si pacient në një spital psikiatrik pasi ka tentuar të vetëvritej. Aty ai ka takuar një vajzë e cila refuzon të preket, Sydney. Me arsye e bën këtë, pasi kontakti me Davidin ka bërë që mendja të ndërroj trupat ndërmjet këtyre dyve dhe ja ku nis gjithçka.

Është seri që do të ju kënaq me çdo episod që kalon. Është një ‘dhunim’ truri i kënaqshëm i cili është shumë më i lehtë tani kur të gjitha episodet veçse janë transmetuar. Ka një kast të shkëlqyeshëm, veçse efektet edhe skenari janë edhe më të hatashëm.

Është nxitës i shkëlqyeshëm për trurin tuaj.

Shumë pak SPOILERAAAA

Po të nis të përmend idetë, shumicën prej të cilave kanë ndryshuar shumë me kalimin e kohës duke nisur ndoshta edhe nga pika qesharake, do të duhej shumë kohë. Edhe do të duhej të lodhja trurin edhe një herë, prandaj vetëm po përmend që pjesa e ‘Boleros’ ka qenë ndër pjesët më të bukura në televizion viteve të fundit. Me çdo episod të kaluar seria vetëm sa është lustruar për të mirë.

Aktrimi i Dan Stevens ka qenë i mahnitshëm. Rachel Keller si Syd, e Jean Smart si Melanie kanë qenë të mrekullueshme. Tashti po të analizonim karakterin e Aubrey Plazas dhe rolin e saj të Lenny Busker, fundin e përkryer të sezonit, karakteret tjera, epo….

Më shkurt, nota personale: 5/5.