Categories
Filma

Leon (1994) – Recensim

Gary Oldman ka një performancë të shkëlqyeshme në këtë film, sidomos në pjesën e parë të filmit kur ‘merret’ me familjen e Mathildas. Sjellë mu atë antagonistin me çrregullime mendore, i cili bën akte makabre duke luajtur Bethovenin! Sigurisht që ai do të kthehet para syve tanë edhe në çaste tjera, të cilat janë më pak makabre, por akoma ‘Oldman-eske’.

Pjesa tjetër e filmit është e Jean Reno e Natalie Portman.

Që nga momenti kur Mathilda troket në portën e Leonit, me atë fytyrë fëmije të shastisur që disa çaste më parë kishte kaluar pranë familjes së saj të masakruar, deri në skenën e fundit, miqësia e tyre është ajo çfarë e bën këtë film unik.

Është ndër filmat më ‘origjinal’ që kam parë, nisur nga miqësia e pazakontë e një dymbëdhjetëvjeçare me një vrasës serik në moshë, vulgariteti i shumë skenave, dhe mbi të gjitha dialogu i ‘çmendur’ ndërmjet Mathildës dhe Leonit.

Dialogët e të dyve janë të mbushur me ‘filozofi’, zymtësi, dhe komedi. Secili ‘zhanër’ nga këto ka efektin e vet në krijimin e jehonës së pavenitur të këtij filmi, edhe më shumë se çerek-shekulli nga premiera.

Miqësia, harmonia e përkryer e Reno e Portman në skenë nuk mbështetet vetëm në dialogët, por kalon edhe tek lojërat e tyre, negocimi për qirakllëkun, nëpër skenat stërvitëse, deri tek ‘shëtitja’ e tyre në rrugë.

Mëritë të madhe për jehonën e ‘Leon’ ka padyshim Luc Besson.

Ndoshta regjia nuk është diçka e veçantë, por kemi disa kënde që kapin karakteret në plan të parë, sidomos fytyrën e Natalie Portman kur bën situatën serioze me negociatat me personazhe të ndryshme, diagnozën e barkdhimbjes, e deri tek skena në kulm. E veçantë mbetet shëtitja e tyre në rrugë nga fokusi jonë.

Fatkeqësisht, për shkak të zhvillimeve në karrierën e Besson, deri sot, nuk kemi parë vazhdimin e këtij filmi, që ashiqare është planifikuar qysh para realizimit të këtij. Dhe me shumë gjasë s’do ta shohim kurrë. Por, ‘Leon’ profesionisti, edhe në vete mbetet një film i veçantë, që na bën të përkrahim jetën e një vrasësi me pagesë dhe kujdesin e mentorimin e një fëmije. Aktrimi është i mrekullueshëm, njëjtë si Luc Besson pas kamerës. Nota personale: 5/5