Nuk di ku e pashë, pahiri, një përshkrim që merrte guximin dhe e vendoste ‘Let It Snow’ në një rang me ‘Love Actually’. Dhe kur e sheh në fillim një këngëtar, një aheng feste, disa linja të rrëfimeve, nis e mendon që mund të ketë diçka të tillë. Pa kaluar shumë kohë, nis të urresh këtë duke u futur më thellë në film.

Linjat e shumta të tregimit detyrojnë skenaristët të zhyten menjëherë në temë, pa ‘ngrohur’ situatën. Dhe kjo i bie menjëherë në pikën e ‘korrektësisë politike’, apo siç po e quajnë tani PC. Kemi të gjitha rasat, të gjitha ngjyrat e flokëve, të gjitha drejtimet seksuale (pos ndonjë ‘zbulimi’ të ri gjatë xhirimit të filmit), të gjitha llojet e pikëllimeve, si dhe karakterin e një gruaje të çmendur që vjen në Joan Cusack e cila më kujtonte disi rolin që ka pasur tek ‘Shameless’ ku ka shkëlqyer.

Nga pjesa tjetër e aktorëve, më parë kam parë vetëm Kiernan Shipka si e bija e Don Drejper tek ‘Mad Men’ e ju mund ta kujtoni nga Sabrina e Netflix; dhe Isabela Merced nga ‘Instant Family’ ku ka bërë një punë shumë të mirë, ngjashëm si tek Sicario 2. Gjersa këto dyja, dhe shumica e bëjnë punën e mirë në aktrim, ajo çfarë zhgënjen është kohezioni i tyre në film. Njëri nga karakteret më të kënaqshme ishte Billi i cili ndoshta ishte i vetmi që përshtatej me krejt tregimin.

Më shumë se një film i këndshëm me atmosferë festash, ‘Let It Snow’ ngjan në një projekt që duhej të përmbushte të gjitha pikat e kërkuara nga producentët që të dilte politikisht korrekt. Dhe këtë ia arrin, del film politikisht korrekt, por në mesin e së paku 63 filmave të rinj me temë të festave të fundvitit që shfaqen për herë të parë këtë vit, ky do të mbetet aty kah fundi, e lëre më në konkurrencën e filmave klasik të kësaj atmosfere.

Mund të arsyetojnë se i dedikohet tinejxherëve, por nëse kjo është ajo çfarë po u japim tinejxherëve, atëherë mjerë tinejxherët që po rriten. Nota personale: 2/5