Categories
Opinione

Liria e të mjerëve

Liria ka emër, por na nuk e njohim!

Asaj që ne i themi liri, atë që e njohim liri, është vetëm një iluzion i lirisë që gëzojnë popujt e lirë. Nuk është liri kjo që kemi. Kjo është vetëm një liri për të menduar ndryshe ata që janë në një pozitë më të lartë në sistemin shoqëror, nga sistemet paraprake kundër të cilave kanë luftuar.

Unë, ti, shumica e tjerëve, nuk kanë të drejtë të gëzojnë liritë që i gëzojnë tjerët. Ose, mund t’i gëzojmë, por gëzimi i kësaj lirie ka një kosto të madhe.

Liria nuk është vetëm ndërrimi i gjuhës që flasin ata që na qeverisin.

Me ardhjen e lirisë, së pari ankesat ishin në mungesën e kompetencave që zotëronte UNMIKU. Pastaj erdhi pavarësia, dhe ankesat në EULEX-in. Pastaj…

Kur të ju ndalë një polic në rrugë, ende të zgjojnë frikën e para-lirisë, pasi sjelljet e një pjese të tyre janë të ngjashme, vetëm që iu mungon pushteti absolut – të nxjerrin alltinë e të rrahin aty.

Kur të ju vijnë inspektorët e nëpunësit, ju duhet t’i qerasni me ushqim nëse jeni furrë, me kafe nëse jeni kafeteri, e me çfarëdo shërbimi tjetër që ofroni.

E dini pse nuk iu kërkohet policisë biletë autobusi nga konduktorët, e pensionistëve që kanë kontribuar për këtë vend me dekada, dhe që kanë katërfish më pak të hyra ju kërkohet biletë?

Sepse ashtu nuk kanë paguar para-lirisë, ashtu nuk paguajnë as pas-lirisë. Dhe nesër, në komunikacion, polici mund t’i falë dënimin, i pensionuari çfarë t’i falë?

Liria ka ardhur, por kultura ka mbetur e njëjta – korrupsion e b&thlëpirje publike!

Liria nuk është zëvendësimi i vrasjes me plumb, me vrasjen e ngadalshme.

Një shkrim a status i këtillë, në vitet e para të pasluftës, kur reduktimet 4 me 2 për rrymën, kanë qenë vetëm për kategorinë A, ka qenë i pamundur. Ose, ka qenë i mundur, por të nesërmen të është shpallur vendimi final i gjykatës pa gjykatë!

Ashtu si para-lirës, edhe pas-lirisë, së paku deri në zgjedhjet e para, as si fëmijë nuk ke guxuar të shfaqësh pëlqim për këdo tjetër pos krahut të luftës. Pastaj zgjedhjet, dhe shumica nisi të marrë frymë pak më lehtë. Por fryma e shumëkujt nga krahu tjetër mbetej në gjysmë.

Me kalimin e kohës, vrasjet u ndërprenë, por filloi vrasja e ngadaltë – ajo që na vret dalë nga dalë, e ditë për ditë.

Me plumb të marrin jetën, por shpresën ta marrin me dhunë e torturë shpirtërore, ditë pas dite, për njëzet vite. Dhe, në fund, ose prishesh ose nis e mëson gjermanisht, sepse një fëmijë 5 vjeçar që ka pritur KFOR-in me lule, tashti është 25 vjeçar, pa asnjë perspektivë të shëndoshë për këtë vend.

Liria nuk është zëvendësimi i Stenkovecit me Hungari.

Të parin ai fëmijë e ka kaluar me shpresën për tu kthyer, të dytin ky 25 vjeçar e kalonte për të mos u kthyer më.

Nuk mjaftoi fëmijëria me frikën që do të mbytnin ty e familjen, nuk mjaftuan ai mund për të mësuar e studiuar, nëpër reduktime, me tri orë ujë të ngrohtë gjatë javës në konviktin e studentëve, me diktaturën e profesorëve të cilët kërkonin librin e tyre (15 euro shtesë), punët për një kashore bukë nëpër filiale të oligarkëve që të paguanin sa për të mbetur gjallë, e nganjëherë edhe hiq. Pas të gjithave, nevojitet ose b&thlëpirja publike e ‘shefave’ ose mësimi i gjermanishtes!

Kjo nuk është liri!

Kjo është vrasje kolektive konstante!

Të vetmen liri që e kanë, është të ndërrojnë fotografinë e profilit me ndonjë tragjedi që ndodh diku ku nuk dinë asgjë për ta; ‘llajkimi’ i statuseve dhe komenteve të shefave partiak, dhe në privat t’u shkruajnë shefave të ardhshëm potencial, ashtu që të bëjnë një gjumë më të rehatshëm, që nesër mos t’u duket lodhja në cilëndo prej fytyrave që vendosin të veshin!

Hipokrizia nuk ekziston në liri, ekziston në një popull të skllav! Dhe, pastaj habitemi pse kemi qenë të skllavëruar tërë ekzistencën. Ndoshta sepse këtë e bëjmë më së miri?!

Liri nuk është të pajtoheni me çdo mendim që jep dikush që është në një pozitë më të lartë se e juaja. Liri nuk është të buzëqeshni, ta përkrahni, ndonëse në vete e dini që është krim kjo që po bëni. Po hajt bëjeni të kundërtën, thoni diçka që besoni thellë në vete dhe nuk shkon me shumicën, provojeni!

Sigurisht, ju mbushet inboxi me kërcënime, e ndalesa të ‘dukeni’ në të gjitha komunat shqipfolëse, vetëm për faktin që serbët nuk i kuptojnë mendimet tuaja! Dhe ndoshta nuk ka fansa të Barcelonës andej :p

Por, së paku nuk bëheni qaraman si njerëzit në pushtet të cilët çdo mesazh privat të dyshimtë e vlerësojnë si kërcënim dhe ankohen që nuk po kanë lirinë e shprehjes, e këndej, ‘liria ka emër’.

E vetmja liri që ka emër tek ne, është ajo që u shkon për shtati atyre që pasurohen nga ajo liri. Dhe për këtë liri fajtor jemi që të gjithë ne.

Nuk na japin viza, nuk na pranojnë në Evropë sepse ata që kemi zgjedhur nuk po kryejnë punët.

Dhe nuk guxojmë t’i fajësojmë individët në krye që nuk po punojnë, e ata që kanë bërë punë të këqija. Sepse ne kemi zgjedhur ata. Sepse faji i tyre është edhe faji i jonë!

Tek e fundit, liderët e individët janë pasqyrim i shoqërisë. Sado i keq që është ky pasqyrim në sytë e tjerëve, duhet të pranojmë që shumica i ka zgjedhur këta.

Sot, të akuzuar jemi të gjithë, e nesër mund edhe të dalim fajtorë, të gjithë.

Demokracia e Aristotelit e Platonit së pari kërkon diturinë pastaj lirinë. Dhe këtu është problemi ynë. Ne kemi mundësi të zgjedhim, por nuk dimë. Sepse jemi të paditur!

Të vetmet zgjedhje që i bëjmë ne janë:

  • Ku të pimë kafe
  • Kujt kemi më shumë llogari t’i japim votën
  • Ku të mësojmë gjermanisht

Dhe në këto tri zgjedhje kemi lirinë, dhe kjo ka emër – liria e të mjerëve!