TV Reviews

Lisey’s Story – Miniseri

“Të kam dashtë atëherë, ashtu si të dua sot, ashtu si të kam dashur në çdo moment ndërmjet”

Është kjo historia e Lisey Landon, dy vite pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Scottit, një shkrimtar i njohur, i cili lë këtë botë pa e përfunduar njërën ndër veprat e tija më të pritura!

Edhe dy vite pas vdekjes, Lisey ende vuan nga pikëllimi për bashkëshortin e saj, i cili i ka lënë një “hartë thesari” që do ta ndihmojë atë të mbijetojë këtë periudhë pa Scottin.

Miniseria, e adaptuar për TV nga pena e vet legjendës Stephen King, përhapet në fëmijërinë e Scottit, në punën e tij profesionale, të kaluarën bashkëshortore të Lisey e Scottit, dy motrat e Liseyt, fansat, dhe në Boo’ya Moon.

Boo’ya Moon është një vend nga fantazia e Scott, ku ai shkon për të gjetur veten, ngjashëm si shumë tjerë, përfshirë motrën e Lisey, Amandën, e cila ka probleme psikike.

Në rolin kryesor vjen Julianne Moore si Lisey, e Clive Owen është bashkëshorti i saj, Scott, e dy kunatat e tij janë Jason Jennifer Leigh, e Joan Allen! Pra, ka një kastë goxha të mirë të aktorëve. Por, një pjesë të madhe i dedikohet një fansi të “çmendur” të Scottit, Jim, i cili vjen në skenë nga Dane DeHaan (Green Goblin tek The Amazing Spider-Man 2).

Jim ndërsehet nga Dashmiel, i cili beson që manuskripti i Scottit është i gatshëm për botim, por Lisey po e mbanë peng! Dhe ky obsesion i Jim me Lisey, kontribuon në njërën pjesë të horrorit, derisa pjesa tjetër plotësohet nga historia fëmijërore e Scottit.

Është zor të përtypet nga ata që nuk u pëlqen horrori, sikur unë. Edhe më zor e kanë ata që nuk u pëlqejnë historitë e përziera me një dozë të shtuar fantazie, multiversi.

Por, njëkohësisht, miniseria është e mbushur me art të shkrimit, e sidomos të fotografisë. Ka një kinematografi për ekselencë, e as aktrimi, kuptohet nga emrat, nuk lë për të dëshiruar!

Ka skena të tejzgjatura, rrëfim të çrregullt, edhe kërkon shumë nerva e përkushtim për tu përcjellë. Rrjedhimisht ka më shumë kritika negative se ndoshta shikues që e kanë kryer. Më ka pëlqyer për idenë, shtjellimin e saj, dhe mbi të gjitha, fotografinë. Nota personale: 4/5

%d bloggers like this: