Categories
lomsh

llajkat

 ‘Demokracia është sistem i tmerrshëm, por është më i miri që kemi.’ – Winston Churchill

E njëjta vlen edhe për neve kur dalim në zgjedhje, ‘krejt llapova, po së paku këta kanë luftue’ për 1000 euro dreka në ditë, kravata, udhëtime në St. Moritz, e njëqind zullume tjera. Por, për politikën ndonjë herë tjetër, ndonëse ajo është gjithmonë pranë neve.

Sot, për rrjetet sociale!

Me filozofinë e fjalisë së mësipërme të Churchillit, funksionon gjithçka sot. Me filozofinë e kapitalizmit dhe Adam Smithit që oferta duhet të varet nga kërkesa. Në terme banale, nëse shumica kërkon mut, mut do t’u japësh.

Dhe mut janë shumica e mediave tona, sidomos në rrjetet sociale. Nuk jemi një rast i izoluar siç bie llafi tek mangësitë e shumta tjera. Lajmet e rrejshme e llajkat po kanë ndikim negativ anembanë botës. Kryesisht në vendet e pazhvilluara, jo ekonomikisht, por të pazhvilluara sa i përket intelektit.

Me idenë e kapitalizmit dhe llajkave, nëse shumicës së fëmijëve nuk ju mësohet algjebra e gramatika, atëherë ne s’duhet të kemi algjebër e gramatikë. Nëse shumicës së njerëzve nuk ju pëlqen drejtësia, atëherë duhet të kemi anarki dhe një sundim të më të fortit. Tek ne më i forti është sikur më i mençuri – kurrë nuk është në vendin e duhur. Por ka një dallim – më i forti manipulohet nga dinaku, duke lënë të mençurin anash gjersa llomotit ditë e natë se si duhet të jenë gjërat për të mirën e të gjithëve.

Edhe llomotitja shukatet kur dinaku nis të përqesh idetë e të mençurit duke e poshtëruar edhe atë ‘dije’ si diçka snobiste e injorante. Dhe kur kjo nuk funksionon, kur masa e paditur nuk arrin të bindet kundër të mençurit, është arma tjetër. Më e ftohtë. Dija.

Sipas rregullit të parë të ekonomisë së tregut, nëse populli do dije, dije do t’u japësh. Hapë njëzet universitete e gjimnaze, shkolla profesionale, dhe mbush egon me diploma. Ani pse të diplomuarit nuk i dinë trajtat e emrave, shenjat e pikësimit, e as edhe përdorimin e ë-së. Rrjedhimisht kemi njerëz që llajkin e komentojnë, por kurrë nuk shkruajnë. Sepse morfologjia e një PHd është sa e një filloristi. Vjeshta në fshatin tim…

Dhe kjo ka krijuar një popull ekspertesh me diploma muri, të cilët aftësitë e tyre nuk arrijnë t’i tregojnë as në postimet në Facebook. Nuk lexojnë, e kur nuk lexojnë nuk dinë as të shprehen, e rrjedhimisht llajkat. Edhe atë në postimet e shkurtra që nuk guxojnë të jenë më shumë se një paragraf.

E llajka nuk merr asgjë më shumë se një lajm bombastik, për persona të mbytur, për pjesë intime të shfaqura, për skandale hajdutësh. Por asnjëra nuk na bëjnë të marrim hapa kundër tyre. Kjo sepse thellë në vete, pothuajse të gjithë janë të lidhur në këtë ambient të prishur. Të gjithë kanë vjedh diçka që jo patjetër duhet të jetë materialiste apo e përkthyer në para; të gjithë kanë gënjyer diçka qoftë si informatë të bartur ose të krijuar nga ta; të gjithë kanë ‘qarrosur’ një polic apo nëpunës administrativ; të gjithë ia kanë ‘rrafshuar’ bashkëbiseduesit se njëmend ai apo ajo ka njohuri për temën e caktuar duke i mbushur egon të cilën nuk ia plotëson diploma, e as vetvetja nëse ndalet e mendon se çfarë bërllogu në fakt është.

Si rezultat kemi një popull të rremë, të cilët frikësohen nga e vërteta si netët e gjata të dimrit pa rrymë e me frymë shumë. Si rezultat kemi dikë që kryen ekonomikun e nuk e njeh Adam Smithin; dikë që kryen fizikën e nuk e di cilat janë ligjet e termodinamikës; dikë që ka kryer juridikun e ta përkufizon ligjin ‘si gajtani’; dikë që kryen mësuesinë e në dërrasë të zezë ju shkruan nxënësve ‘shum’. Dhe këtu është problemi – mësimdhënësit janë pjesë e këtyre të paditurve. Këtu nis cikli i mosdijes që le të gjymtuar fëmijën përjetë dhe në moshë madhore ai duhet të hallakatë për rregullat e drejtshkrimit, ekuacionet me dy të panjohura, e edhe i nevojitet interneti për të kuptuar 95% të përbërësve të produkteve që i përdorim çdo ditë.

Dhe llajku i tyre ka vlerë, jo aq sa ka pasur para disa viteve, ama prapë ka vlerë. Dhe jo vetëm llajku. Mjafton të lexojnë e të qëndrojnë në një lajm në uebfaqe, dhe puna është kryer. Mjafton vetëm të klikojnë. Sepse me të paditurin e budallenjtë janë nisur luftëra, me padije janë zgjedh presidentët, me të paditur e budallenj janë bërë edhe milionerët.

E çfarë kanë dhënë si shpërblim?

Kanë mbushur egon e individëve që mendojnë se janë të mençur, të bukur, ‘baba’, ekspertë. Si? Me llajka, zemra, haha-ja. Pse? Sepse vet kanë dashur këtë, dhe bazuar në ligjet e kësaj ekonomie, çfarë të ju dojë zemra mund të kenë, vetëm derisa të japin paratë që kanë, qoftë edhe në mënyrë indirekte.

Si e vlerësojnë suksesin e dasmës? Në bazë të llajkave.

Si e vlerësojnë fëmijën? Në bazë të llajkave që ka marrë nëpër faqe anonime ku kanë dërguar fotografinë e fëmijës 2 javor! Ende pa i hapur fëmija sytë mirë, më thoni që është më i bukuri në botë, putheni, ‘bëjeni me liga’ faqet, ma mbushni egon.

Si e vlerësojnë ditën? Në bazë të llajkave, kafeve, e ‘rrafshimeve’.

Jetojnë për të tjerët!

Shkojnë ku shkojnë të tjerët për të bërë check-in; hanë çfarë hanë të tjerët, për të postuar në instagram; veshin çfarë veshin tjerët, për ta postuar online, po tepër keq që s’po munden me postu edhe çmimin, të cilin pahiri e pyesin në komente dhe aty përgjigjen; shikojnë çfarë shikojnë tjerët, sepse duhet të jenë në modë.

Dreqi ta marrtë, ndër seritë më të shikuara kanë tek ne janë ‘Për ty’ dhe ‘Më fal’! Pse? Sepse janë të dubluara, e nuk lodhen të lexojnë! Përtojnë të lexojnë edhe në TV!

Sepse e kanë ma lehtë! Është ma lehtë të ndjekin dikë se sa të lodhin prapanicën për të kënaqur veten dhe shoqërinë me diçka të mirë, produktive, që vërtetë ju kënaq shpirtin e zemrën! Shpirtin e zemrën!

Dhe sikur Shelldoni, nuk të mbetet diçka tjetër pos të ndjesh keqardhje. Sepse dikur lodhesh, edhe thua ‘dreqi ta marrtë’! Por, pastaj të kujtohet Fishta, Noli, Samiu, Naimi, Konica, e dhjetëra të tjerë, të cilët kanë jetuar e vdekur duke provuar të japin dritë, ndonëse ti mund të japësh dritë vetëm një ditë vere me diell edhe atë nëse nuk bart kapelë. Por, e dinë që ka edhe qindra tjerë të cilët janë njëjtë sikur ti, të ngulfatur nga shumica, njëjtë… Së paku ata duhet ta dinë që s’janë të vetëm! Ata të mos dorëzohen, se sa për mediat, institucionet publike, bizneset… për to vlen rregulli i kërkesës dhe ofertës. Çka të lypin ju japin! Le ta matin jetën me llajkat e njerëzve që nesër po të mbyllin sytë pos një ‘ngushëllime’ dhe emoji pikëllues, kurrë më s’do të brengosen për ta. Llajkat kanë ku t’i japin tjetërkund!

E ti? Ti lodhesh! Lodhesh, edhe krejt çfarë do është të gjesh një ‘shole’ me pamje kah mali, sikur Rick Sanchez!