E keqja është që kohën e shohim si diçka lineare që lëvizë vetëm në një drejtim. Pak a shumë sikur një rreth i ngujuar në botën dy dimensionale që do të lëvizte vetëm në një rrafsh, pa pasur idenë që ekziston dimensioni i tretë ku mund të lëvizë lirshëm, dhe të kalonte tek nga pika A tek pika C pa qenë i detyruar të kalonte tek pika B.

Pra disi sikur ai filmi i vizatuar, “La linea” apo në popullorçe “bajum badum.”

Kështu, si lineare na përçohet dimensioni i kohës edhe tek ‘Loki’ veçse këtu hapen degë të reja në kohën e vërtetë e cila mbrohet nga një organizatë – TVA, që ekziston jashtë kohës dhe hapësirës, dhe monitoron kohështrirjen kryesore.

Në njërën nga këto degë ka ikur një variant i Lokit pasi kishte vjedhur Teseraktin gjatë ngjarjeve të “Avengers: Endgame”. Tani TVA ka arrestuar një variant të Lokit, dhe e dërgojnë për të gjetur variantin me Teseraktin e vjedhur.

Në këtë udhëtim, Loki shoqërohet nga Mobius Mobiusi (Owen Wilson), një agjent i TVA-së. Dikur në tregim futet edhe Sylvie, një variant femër i Lokit, e cila nuk e konsideron veten si e tillë.

Në rolin e Sylvie vjen Sophia Di Martino e cila nuk më kujtohet nga ‘Yesterday’ i Danny Boyle, sa më kujtohet Gugu Mbatha-Raw nga ‘The Morning Show, tani si gjykatëse në TVA.

Janë gjashtë episode në kërkim të variantit të Lokit që ka marrë Teseraktin, me një skenar mjeshtëror, aktrim të shkëlqyeshëm të Tom Hiddleston e Sophia Di Martino në veçanti. Si në çdo produkt të MCU, pjesa vizuale është ana më e mrekullueshme e krejt serisë.

Pastaj janë disa dialogë me karaktere dytësore që futen në pjesën e dytë të sezonit, përfshirë Richard E. Grant, dhe në veçanti Jonathan Majors si një karakter mbikëqyrës.

Personalisht, më ka pëlqyer ndoshta edhe më shumë se WandaVision, marrë parasysh temën dhe mënyrën e shtjellimit. Është diçka më e koklavitur, me më pak karaktere, më e kufizuar. Padyshim mbetet shumë mbi “The Falcon and the Winter Soldier”, derisa ‘What if?” nuk e kam nisur, dhe nuk besoj që do ta nisë.

Çdo episod i këtij sezoni të “Loki” ka qenë art në vete. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: