Mund të shkruajmë qindra fjalë, por dashurisë që kemi brenda prapë nuk i japim formën që meriton.

Prandaj, përshkrimi i filmave më të dashur është goxha i vështirë, pa marrë parasysh sa mundohemi. Shkruajmë e shkruajmë dhe në fund prapë themi, “shihe e vlerësoje vet!”.

Për njerëzit e kemi pak më të lehtë.

Nëse nuk shkruajmë, shumëçka mund të transmetojmë me një përqafim, i cili bashkon trupat mu ashtu siç supozonte Aristofani. Shkruan, shkruan, dhe prapë një përqafim tregon më shumë se një roman, dashurinë që kemi ndaj dikujt!

Tek “Love, Actually”, Richard Curtis me anë të një pune të thuktë përfshinë kategori të ndryshme shoqërore, me të kaluar e të pranishme të veçantë për ta, jeta e të cilave është e lidhur në një lëmsh njerëzor, derisa zbulojnë një formë të re të dashurisë.

Shkrimi e bën këtë film të veçantë, që nga fjalimi fillestar i karakterit të Hugh Grant i cili duhet të jetë maja e rendit shoqëror në këtë film, në kërkim të dashurisë, deri tek i biri i madh i Benit e Suzanës nga “My Family”, i cili duhet të marrë më së shumti rrugë për të gjetur veten në romancën e kësaj jete.

Nga dashuritë në vendet e papritura, nga personat e papritura, në kohët e papritura, deri tek ato që ndërtohen me vite e prishen në çaste, e ato që ndërtohen me një moment e shkojmë me vite, Curtis na sjellë dashurinë që prek mosha të ndryshme në forma të ndryshme.

“Love Actually” mbetet legjendar për shumë skena, ajo me pankartat e Andrew Lincoln, vallëzimin e Hugh Grant, finalen e Colin Firth, finalen e Hugh Grant, e finalen e të birit të karakterit të Liam Neeson, pa harruar edhe shumë momente që ndërtojnë këto skena, dhe pjesët tjera. Kjo e bën këtë film të përkryer për temën që shtjellon.

Skenari është i jashtëzakonshëm, duke e bërë këtë film një klasik për fundin e çdo viti, pa e kufizuar në këtë periudhë për një arsye të vetme – dashuria ndërmjet njerëzve duhet të jetë përgjatë tërë vitit.

Derisa skenari e regjia vijnë nga i papërsëritshmi Richard Curtis, kasti i përzier nga emra tashmë legjendar gjatë xhirimeve e në ngritje në vitet vijuese i jep ngjyrën finale këtij filmi.

Hugh Grant, Colin Firth, Bill Nighy, Liam Neeson, Emma Thompson, Martin Freeman, Keira Knightley, Laura Linney, Alan Rickman, e vet muza e Curtis – Rowan Atkinson, janë arsye të mjaftueshme për të rishikuar këtë film çdo vit!

Gati 20 vite pas lansimit, “Love Actually”, vazhdon të jetë dita ditës më i rëndësishëm për botën tonë në largim, sa nga situata shëndetësore e dy viteve të fundit, edhe më shumë nga zhvillimet teknologjike. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: