Categories
Filma

Love, Simon (2018) – Recensim

Filmat e ‘rritjes’ (coming-of age), varësisht prej gjeneratave që kanë prekur, kthehen në kulte.  Disa nga të fundit që mund të mbeten jashtë kësaj kategorie duke u nënvlerësuar, do të thosha që janë ‘Short Term 12’, ‘The Edge of Seventeen’, e ‘Juno’. Ashtu do të mbetet edhe ‘Love, Simon’, i cili është një film i përkryer në realizimin e qëllimit që ka.

Që nga vendosja e ngjarjes në një vend jo aq të njohur, karakteret e portretizuara nga aktorë mirë të përzgjedhur, dialogu, e deri tek skenari dhe një fotografi magjepsëse, ‘Love, Simon’ shkëlqen në çdo aspekt. E përsëris që nuk është një film që do të vlerësohet shumë nga kritikët e esnafët tjerë të filmit. Është një film që çdo filmdashës modest do të kënaqej ta shikonte.

Filmi përqendrohet në jetën e Sajmën Spajër, i cili ruan një sekret të madh në vete, duke mbajtur jashtë tij familjen, miqtë, dhe shokët e klasës. Sajmën është një adoleshent gej. Këtë sekret ai e zbulon tek një blloger i cili mëton se është i vetmi gej në shkollën ku Sajmën ndjek mësimin. Dikur ky bashkëbisedim rrjedh online, dhe derisa bllogeru mbetet me identitetin e fshehur, Sajmën duhet të përballet me rrethanat e reja. Por, ai vendos të shkojë një hap më tutje – të gjej kush është geji tjetër në shkollë? Dhe ky mision, ofron një dozë shtesë misteri në një dramë të këndshme, të realizuar për merak.

Jennifer Garner, e Josh Duhamenl janë emra me të cilët sigurisht jeni njohur nëpër filma të ndryshëm. Këta dy luajnë rolet e prindërve të Sajmën, i cili portretizohet nga Nick Robinson. Ndërkohë, mikja e tij më e mirë është Katherine Langford – aktorja kryesore nga 13 Reasons Why! Pra, edhe kasti është i përshtatur për këtë temë, duke rrumbullakuar një film të përkryer! Them të përkryer pasi ia del të realizojë atë për të cilën është përgatitur, dhe nuk ka të meta në ndonjë aspekt. Nota personale: 4/5