Një film i realizuar me vizatime me ngjyra vaji është ndër mënyrat më të mira për të portretizuar një temë nga jeta e Vincent van Gogh.

Dhe tema në këtë film nis pas vdekjes së van Gogh-ut, kur një i ri zhvendoset për në qytetin e fundit në të cilin kishte banuar artisti i njohur, për të dërguar letrën që ishte nisur për vet van Goghun. Në përmbushjen e këtij amaneti, Armand Roulin, nis të zhytet më shumë në misterin rreth vdekjes së tij, rreth të cilës bazohet më së shumti ky film.

Në shtjellimin e kësaj teme, vijnë histori të ndryshme nga karaktere të ndryshme. Kjo na lidh më shumë me filmin, i cili përgjatë gjithë kohës sjell edhe sekuenca faktesh interesante nga jeta e piktorit. Karakteret veçse sa zbukurojnë këto sekuenca, e ajo që më së shumti zbukuron krejt filmin është teknika e përsosur.

Në fakt, është teknika më e përkryer që mund të përdorej në shtjellimin e jetës së Van Goghut. Është një teknikë e cila merr për bazë pikturat më të njohura të Van Goghut, në të cilat karaktere janë aktorët të cilët bëjnë punën si pjesë e pikturës, ose vendosur në një pjesë të saj, ose duke aktruar përballë një skene të gjelbër. Janë 898 kapje dhe 65 mijë fragmente në film për ta bërë ‘Loving, Vincent’ si filmin e parë komplet të pikturuar.

Douglas Booth, Chris O’Dowd, Saoirse O’Ronan, John Sessions, e Jerome Flynn vijnë në rolet e karaktereve, shumica prej të cilave janë të ndërlidhura me jetën e njëmendtë të aktorit. Dorota Kobiela ka pasur pak më shumë përvojë se Hugh Welchman në regji e skenar. Për fillestarë si ta, ky film del të jetë një realizim goxha i suksesshëm.

Një homazh i përkryer për Vincent van Goghun. Nota personale: 5/5