Categories
lomsh

Luan Morina, vetëvrasës serik

Nëse keni ndonjë shqetësim të ngjashëm mos hezitoni të telefonin Linja e Jetës – pa pagesë në 0800 12345, çdo ditë nga ora 18:00 deri në orën 02:00.

Zakonisht në maj, kur është muaji i shëndetit mendor, tashmë e disa vite, ‘festoj’ tani 11 vite që nga ‘pranimi’ i diagnozës për anksiozitet të përgjithshëm dhe depresion.

Por, problemet e këtilla tek më shumë se çereku i popullsisë janë të pranishme për të dymbëdhjetë muaj, dhe nuk besoj që duhet të presim të shkruajmë apo të flasim për shëndetin mendor në kohë të caktuara.

Një fotografi nga ‘kujtimet’ e Fejsbukut, nga prilli i dhjetë viteve më parë, si shumë fotografi para e gjatë kësaj dekade të fundit ndez në mendje një pyetje, një fjali që aktualizohet pothuajse çdo rast të këtillë.

“I should’ve killed myself, long time ago.”

E them në anglisht, apo gjuhë tjera të huaja në mendjen, sepse në shqip më frikëson pak më shumë.

Në shqip, shumë fjalë na frikësojnë ma shumë se në gjuhë tjera.

Më lehtë i shprehim në gjuhë tjera sepse na duken më të huaja, na ngjajnë me ato që i dëgjojmë në filma e këngë, nuk na prekin aq thellë. Nuk janë aq serioze!

Ngjashëm edhe mendimet e mija për vetëvrasje, kanë qenë aktuale, kanë qenë të rënda, të planifikuara, të detajuara, por hapa real nuk janë marrë. Nuk besoj që do të merren. Për shumë arsye.

E para, disa herë gjatë jetës, paqëllim jam gjetur buzë vdekjes, por për një arsye a tjetrën ende jam këtu.

E dyta, të gjithë, secili nga ne, ka një mision në këtë jetë, të cilin e vërejmë vetëm kur shikojmë historinë tonë.

Nën C, marrë parasysh fatin tim në disa raste, mund të ngelem i gjymtë e i gjallë, që është edhe më rëndë se sa një jetë me anksiozitet të përgjithshëm e depresion :p

Por, njëmbëdhjetë vite më parë, ndonëse me të njëjtën kokë e të njëjtat mendime, kam qenë shumë ndryshe.

Çfarë kam arritur gjatë këtyre viteve?

Nuk e kam zakon të radhis ‘sukseset’ eventuale, por do të përmendi vetëm dy:

  • Kam shkruar e provuar të thyej tabunë në lidhje me shëndetin mendor, aq sa kam mundur, në një rreth minimal
  • Kam mbijetuar, përkundër të gjithave, kam punuar, kam ngrënë, kam vallëzuar, kam dashuruar, kam qarë, kam vuajtur, kam qëndruar me ditë të tëra në shtrat, kam qëndruar pa gjumë me net të tëra, dhe ja ku jam. Një njeri që dukej ‘normal’ sikur të mos fliste për këto.

Një gjë e mirë është që kohëve të fundit janë rralluar shporrjet në të kaluarën, rrjedhimisht edhe ato pyetjet. Edhe më e mirë që ka vite që nuk kam ‘elaboruar’ ndonjë plan a mënyrë.

Po përmirësohem, por s’do të thotë që GDA e depresioni s’do të kthehen kurrë. Veçse, kurdo që të kthehen, e di si do t’i trajtoj e ‘shëroj’. Dhe asnjëra nga këto nuk përfshinë një vetëvrasje të njëmendtë.

Ka shumë gjëra të bukura e njerëz të mirë në këtë botë për të privuar veten nga to, për një pakicë të pështirë!

Lufta vazhdon!

Nëse keni ndonjë shqetësim të ngjashëm mos hezitoni të telefonin Linja e Jetës – pa pagesë në 0800 12345, çdo ditë nga ora 18:00 deri në orën 02:00.