Categories
Milan

Luca Antonelli – Inter vs Milan

Mbrojtja…

Faji tek goli i pësuar bie mbi mbrojtjen. Është e qartë që mbrojtja e Milanit është akoma në ndërtim dhe duhet kohë që të stabilizohet, të arrij një nivel qëndrueshmërie dhe pjekurie. Përvojë. Mos tranzicioni i markimit të Guarinit nga mbrojtësi i krahut në qendërmbrojtës i lejoi hapësirë të mjaftueshme që të godet. Dhe…

Mendoj që me përvojën e Antonellit në krahun e majtë, De Sciglion në të djathtë me Abaten jashtë mbrojtja do të ishte shumë më mirë. Zapata po përshtatet dhe i nevojitet dikush si ai Romagnolit dhe Ely. Derisa mendoj që e ardhmja e Milanit duhet të bazohet tek dyshja Romagnoli-Ely, deri në arritjen e një përvojë u nevojitet dikush si Zapata.

Mihajlovic…

Përgjigja e Mihajlovicit në pyetjen në lidhje me largimin e Baccas dhe Hondas tregon për kuptimin dhe realizimin e tij personal për gabimin që ka bërë. Të shkosh me tre sulmues dhe të rrezikosh një debakël prej 0-2 e 0-3 do të ishte më e rëndë se një humbje minimale e këtillë që na të mendojmë se ishim më të mirë në terren.

E kuptoj hezitimin e tij për të rrezikuar dhe pësuar një humbje të thellë nga Interi në fillim të kampionatit. Një e tillë i kushtoi Leonardos. Gabimet e trajnerëve ndodhin, por edhe çiltërsia dhe shfaqja e emocioneve në vendimet e Mihajlovicit tregon shumë mirë dedikimin e tij për të arritur sukses.

E nëse mendoni, shpresoni në një largim të Mihajlovic, në fakt dëbim të tij, harrojeni. Tashmë veç paguhen 6.5 milionë euro në vit për tre trajnerë. I katërti nuk vjen për më pak se 2 milionë dhe tetë milionë në total do të ishin budallallëk të paguhen në katër trajnerë. Edhe më budallallëk do të ishte largimi i trajnerit më të mirë që kemi pasur këtë dekadë!

Balotelli…

Kush dreqin ishte ai që kishte veshur fanellën e Balotellit?

Puthja e dresit të Milanit në fund të ndeshjes me tërë atë emocion të shfaqur na tregon vendosmërinë e tij për t’ia dal kësaj radhe. Shpresoj. Shpresoj të mos gabohem, të mos na dëshpërojë përsëri. Kam parë shumë filma me alkoolikë dhe njerëz që pësojnë ‘relapse’! Është rrezik permanent, por atë që pamë në fushë ishte një lider, i vetmi që luante me zemër në ato moment.

Balotelli ndoshta është rikthyer. Ndoshta do të tregoj aftësitë e tij. Por, së paku le të vazhdoj kështu.

Sulmi është i përkryer. Por, gjithnjë, gjithkush ka nevojë për pak fat. Sulmuesve tanë iu mungoi. Gjithashtu duhet përgatitje më e madhe psikike për tu marr me fundërrina si Felipe Melo!

Luan Morina
Kolumnist për ACMIlanShqip