Sa e keni shpirtin e vjetër?
Diqysh çoheni në mëngjes edhe duket se asnjë asht nuk është i lidhur me njëri tjetrin, dhe pa hapur sytë e vazhdoni gjumin deri të ju kujtohet që është e mërkurë dhe duhet të vazhdoni rutinën ditore duke duruar të gjithë ‘hejterat’ që do të ju ngucin për humbjen e ekipit tuaj të preferuar mbrëmë! Edhe një e martë, edhe një sezon, edhe ende s’ka titull. Edhe kushedi edhe sa vite jetë keni! Ndoshta dy, ndoshta njëzet, ama sigurisht nuk do t’i bëni 90, me pensionin si qëllim jetësor për të arritur.
Në moshën 90 vjeçare, Harry Dean Stanton ka xhiruar filmin ‘Lucky’, ku portretizon karakterin me të njëjtin emër. Është një karakter me një rutinë ditore që ende bën ushtrime të cilat ju edhe pse tri herë më të rinj keni problem t’i bëni. Gjatë këtyre ushtrimeve, një ditë pëson një aksident, dhe në kontrollimin mjekësor, përkundër të gjitha mosbindjeve të mjekëve modern në jetën e përditshme, del të jetë më i shëndosh se shumë nga ne!
Llaki është ateist!
Dhe tashti që mendon se është afruar vdekja, nis një udhëtim spiritual për të gjetur kuptimin e kësaj jete, dhe çfarë mund të vijë më pas! Në lidhje me këtë, ai bën disa muhabete goxha interesante me David Lynch, të cilin sigurisht (nëse) e njihni nga filmat e tij ‘ndryshe’ dhe ‘Twin Peaks’; Tom Skerritt, Yvonne Huff, e aktorë që ngjallin karaktere tjera në këtë film.
Por, filmi mbetet i përqendruar tek Llaki i cili ka një jetë të thjeshtë, të cilën nuk preferon t’ia trazoj askush. Sjellja indiferente dhe gërnjare e tij e bën këtë film ndër më të qetit, më të ëmblit, më të këndshmit prej filmave të vitit 2017. Një dramë e ngjyrosur me komedi, e shkurtër, e heshtur, e përkryer. Nota personale: 5/5