Categories
lomsh

Luftë për 4shin – 5përVikend

  1. Leicester – Manchester United (e shtunë, ora 6e30)

Vitin e kaluar, ndeshja ndërmjet këtyre dy ekipeve ka qenë njëra ndër më të mirat e sezonit duke ofruar plot 8 gola. Për shkak se në njërën anë kemi një trajner si Van Gaal dhe strategjinë e tij defanzive këtë sezon, zor se mund të shohim aq shumë gola nesër. Por, mund të shohim se çfarë mund të bëj Leicester ndaj ekipeve të mëdha.

Kundër Arsenalit kanë dështuar keq, si me rezultat edhe me lojë, derisa brenda një muaji do të ndeshen edhe me Chelsean, Evertonin, Liverpoolin, e Cityn që pritet të jetë periudha ku Leicester do të ‘kthehet’ në vete. Më pëlqen loja e tyre shumë më tepër se e United për momentin. Po të më thoshte dikush që trajneri që ka humbur nga Ishujt Faro do të bënte futboll më të mirë se Aloysisus Paulus Maria van Gaal që ka fituar tetë kampionate kombëtare dhe Ligën e Kampionëve, nuk do ta konsideroja normal. Sot po e them vet!

  1. Tottenham – Chelsea (e diel, ora 1)

Chelsea nuk ka arsyetime për të dëshpëruar më. Po të mos konsiderojmë Leicesterin si skuadre kreu, tjerat takime në muajin e ardhshëm janë krejt nga poshtë tabelës, aty edhe ku gjendet Chelsea, me plot mëritë. Mourinho duhet të bëj diçka me skuadër, duhet të shfaq futboll të hapur, sulmues që të marr fryte. Metodat e tija të kundërta me fjalinë paraprake e kanë sjell në këtë pikë ku është.

Tottenham po kalon njërën nga sezonet më të mira të këtij shekulli. Nuk kam pritur një ndryshim kaq të madh nga sezoni i kaluar, por Pocchettino ka arritur të krijoj një skuadër të mirë që po përshtatet mes reparteve duke kontribuar në gola dhe pikë të fituara. Pikërisht forma e Chelseat ndoshta mund tu ndihmoj të renditen në katërshen e parë. Edhe pse mendoj që fitimi i Europa League do të ishte një rrugë më e sigurt drejt Championsit.

  1. Marseille – Monaco (e diel, ora 9)

Liga e Francës ka mbetur vetëm për kësisoj derbi klasik. Monaco dhe Marseille renditen bash aty ku e meritojnë të jenë. Të dyja kanë skuadra mesatare që kanë mundësi të bëjnë më shumë, dhe strateg të mirë që bëjnë më të mirën me këto skuadra. Të dyja shfaqin forma të ndryshme nga java në javë duke qenë të paparashikueshme sa për vete aq edhe për kundërshtarët.

Pa marr parasysh renditjen në tabelë, takimet ndërmjet këtyre dyjave gjithnjë kanë qenë interesante. Edhe i të dielës pret të jetë ngjashëm interesant.

  1. Leverkusen – Schalke (e diel, ora 5e30)

Hertha ka zënë pozitën e katërt që çon në Champions. Kjo pozitë do të duhej ti takonte Leverkusenit ose Schalkes. Do ti takonte edhe ndonjë pozitë më lartë sikur të kishin trajner më të mirë, sidomos Leverkusen. Farmaceutët kanë skuadër tepër të mirë. Shumë më të mirë se sa që e shfaqin rezultatet ndaj Kolnit e Hamburgut.

Schalke ka skuadre të talentuar. Është një skuadër në ndërtim dhe e denjë për sukses, por nuk ia arrin të dal ballësh kundër skuadrave rivale siç ndodhi me Monchengladbach, Dortmund, e Bayern. Pas Leverkusenit, kanë një seri kundër skuadrave inferiore, dhe 12 pikë do të konfirmonin zotësinë e tyre. Por, zor që do të mund ti marrin.

  1. Sevilla – Valencia (e diel, ora 8e30)

Edhe një përballje për pozitën e fundit që çon në Champions. Sevilla është shumë e dobët sivjet. Ndoshta Emery do të prodhoj diçka me shkopin e tij magjik pas vitit të ri, atëherë kur sipas të gjitha gjasave do të mbesin të angazhuar vetëm në Spanjë, ama për momentin nuk është siç duhet.

Valencia disi arsyetohet për rezultatet për shkak të ndryshimeve të shumta në formacion këtë verë. Por, megjithatë dyshoj se trajneri aktual mund të bëj diçka të madhe me këtë skuadër. Nëse asgjë, do të duhej të dalin fitues ndaj Sevillas.