Categories
Journal

Lum të mjerët

Edukimi i fëmijëve, thonë, që nis që nga fazat e mesme të zhvillimit të fetusit. Disa provojnë muzikën klasike, disa stërvitje të ndryshme. Ka edhe thënie që edukimi i fëmijëve nis rreth 25-30 vjet para lindjes së tij, duke lënë të nënkuptohet që edukimi i prindërit është i lidhur tërthortë me edukimin e fëmijëve. Megjithatë edukimi më i madh bëhet në shkollë, derisa për fazën fillestare gjithmonë kujdesej televizioni, e tash edhe interneti.

Të kërkosh mesazhe konspirative nëpër filma të vizatuar është humbje kohe, megjithatë shumica e këtyre programeve kanë një ndikim në subkoshencën tonë. Krejt pa qenë të vetdijshëm ne mësojmë që miu joshet nga djathi, që miu dhe qeni janë miq, që miu mund të shpëtoj luanin, që elefanti frikësohet nga miu, e shumë gjëra tjera për miun. Edhe për kafshët tjera, sigurisht. ‘Road Runner’ na mëson që kushedi sa perfekt është plani i ujkut, ai gjithmonë kundërshton ligjet e fizikës, kimisë, dhe çfarëdo shkence për të dështuar në fund.

Si fëmijë, sa nga karakteret e përmendura më lart, dhe dhjetëra tjera që hasim nëpër filma tjerë të vizatuar, sa nga rrethi ku jetojmë, sa nga vrojtimet që jemi të aftë ti bëjmë, ne arrijmë të krijojmë një bindje se çfarë duhet të jemi, çfarë duhet të bëjmë, dhe çfarë nuk duhet të jemi dhe të mos bëjmë. Këto parime fundamentale na ndjekin tërë jetën, dhe shumë herë kurrë nuk pyesim pse gjërat janë ashtu siç janë. Kurrë nuk kërkojmë arsyen, edhe nëse përfundojmë të mesmen dhe mësojmë për ‘racionalizmin’. Këtë e bëjmë më shumë për injorancë se sa për mungesë kureshtjeje. Rebelohemi, por, në drejtimin e kundërt. Rebelohemi kundër mësimdhënësve, kundër rregullave, kundër prindërve. Nuk mësojmë, lexojmë atë çfarë na thonë, nuk presim semaforin, nuk përdorim shportat, tymosim, nuk përfillim këshillat dhe sugjerimet e prindërve dhe familjarëve tjerë. Ky është rebelimi kryesor. Rebelimi i parë është kur fillojmë të ecim vetëm, kur nuk dëshirojmë shishen e qumështit, ushqimin, pampersat, të na mbajnë për dorë gjyshërit, të marrim akulloren me çokollatë – gjëra që ndodhin një dekadë e tepër para ‘racionalizmit’.

Oskarët nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për mua. Është diçka që çmoj, por, jo medoemos pajtohem me përzgjedhjet e tyre. ‘Argo’ nuk ishte as njëri ndër tre filmat më të mirë të vitit të kaluar e lëre më i miri. Edhe ‘Django…’ i Tarantinos ka qenë shumë më i mirë, kuptohet edhe më i gjakosur, si vulë e Quentinit. ‘Silver Linings Playbook’ ka gjithçka që mund të ketë një film i përkryer. Jo vetëm i vitit 2013, por, për mua është filmi më i mirë për së paku dy-tre vitet e fundit. E di që shumica nuk pajtohen, megjithatë, unë mendoj kështu, dhe respektoj edhe ata që mendojnë se ‘G.I. Joe…’ ka qenë filmi më i mirë i vitit.

Pas ‘Silver Linings Playbook’ do e vendosja ‘Les Miserables’ të Tom Hooper. Pos që është një regjisor fantastik dhe e ka dëshmuar me ‘The Damned United’ dhe ‘The King’s Speech’, Hooper arrin të bëj adaptimin më të mirë të mundshëm të tregimit për ‘Të mjerët’ e Viktor Hygos. Edhe Russell Crowe mahnit me këndim e lëre më pjesa tjetër e kastit. Është një ndër filmat që nuk ngopem me të. Në njërën anë edhe më pëlqejnë tej mase mjuzikllat.

Vet tregimi ka një kuptim, një mesazh sublim, që është shumë më tepër se disa veta me këndim të sinkronizuar për qejf. Si nën-tregim i filmit kemi tentimin për revolucion kundër pushtetit mbretëror në Francë, një revolucion që kuptohet do të dështoj. Revolucionin e nisin të mjerët, e vazhdojnë të mjerët, e edhe përfundojnë. Përkundër shanseve inekzistente, ky grup i të mjerëve vendos të luftoj.

Tashti vet nocioni ‘i mjerë’ qysh në moshën fillestare është diçka negative për të cilën nuk duhet të shfaqim kurrfarë lakmie. Ngjashëm, i burgosur, i pashkolluar, i çuditshëm, ‘veq dynjasë’, ‘rebel’, ‘budalla’, ‘tradhtar’, etj. Është turp po të të quajnë diç të tillë. Nëse të thonë diçka të ngjashme në shkollë, ti duhet të mbrosh nderin tënd, të grushtosh nxënësin e klasës tjetër, për të nisur pastaj një luftë klasash shkollore, për të fituar respektin, e që në fakt është frika e të tjerëve, të dominosh ata deri të përfundosh shkollën, e edhe më tutje, derisa të dal dikush tjetër, dikush më dominues, dikë të cilit ti i ke frikën. Është një lloj shkallëzimi. Pra, për një fjalë ‘dud’, krijohet një kokorroç (bully në anglisht) që trazon të gjithë nxënësit e tjerë në shkollë, fëmijët e lagjes, e më pas mund të zë ndonjë vend në ekzekutiv për të trazuar edhe një pjesë të apo një popull të tërë. Ose mund të përfundoj në burg. Tashti ky lloj i burgosuri nuk është diçka që duhet të lavdërohet.

Por, kemi edhe të burgosur tjerë që për ‘idealet’ e tyre, rebelizmin, mospajtimin, apo pyetjet e tepërta, futen prapa qelisë. Nuk flas këtu për ideale kombëtare, por, për më shumë për ideale shoqërore, personale.

Nuk është turp të jesh i çuditshëm, ndryshe, apo qysh thonë në rrethin tim ‘veç dynjasë’. Përkundrazi, është një krenari. Është një lloj rebelizmi i preferuar. Keni dëgjuar ‘delen që ndahet nga turma e han ujku’. Megjithatë kjo dele është më guximtare. Del, shmanget, nuk ndjek çobanin. Ngjashëm edhe për nxënësit e një klase – nëse ata nuk ndjekin mësuesin, dhe shumicën, atëherë mund të përfundojnë ‘ngelqa’ apo ‘budallenjë’. Mund edhe ti ha ujku, siç thotë mësuesi. Por, kjo metaforë nuk ‘ha barë’ si delet. Së pari, delja dhe çobani janë qenie të ndryshme, derisa mësuesi dhe nxënësi janë njerëz të dy.

Ju nuk jeni dele. Ju jeni një guximtar që ka vendosur të kontestoj gjithçka që i është shërbyer si e gatshme. Çfarë, si, pse, pse, pse, pse jo…. pyetni! Pyetni, kontestoni gjithçka. Sprovoni ato që dini, ato që ju kanë gatuar dhe servuar të gatshme.

p.s. nuk di qysh, nuk di kur e pasna shkru nuk di a osht publiku nojhere a ku, veq e di qe krejt pahiri e gjeta…