Categories
Filma

Ma Rainey’s Black Bottom (2020) – Recensim

Ma Rainey ishte një këngëtare e muzikës blues, e njohur me emrin ‘Ma’ Rainey pasi ishte martuar me ‘Pa’ Rainey, me të cilin kishin bërë turne muzikore gjatë viteve të para të shekullit të kaluar.

Kështu thotë wikipedia për karakterin kryesor të këtij filmi, nofka e të cilës kur shikova filmin pa informata paraprake (sepse është ndjenjë më e mirë, e pandikuar), më la përshtypjen që kishte rrjedhë nga ‘nëna e muzikës blues’.

Arsyet për tek ky përfundim, pos përshkrimit, është performanca e mahnitshme e Viola Davis në rolin e një gruaje të fuqishme, të pakompromis, të vendosur, dhe mbi të gjitha të talentuar.

Filmi zhvillohet në një sesion incizimi në studio muzikore të viteve 1920ta, ku Ma Rainey arrin me vonesë e shumë probleme – vapë përvëluese, aksident trafiku, dhe me një ansambël që ka ndryshuar planet.

Në fakt, është vetëm njëri nga ansambli që ka vendosur të provojnë versionin alternativ të ‘Ma Rainey’s Black Bottom’ që është kënga kryesore e këtij sesioni – Levee i Chadwick Boseman.

I tërë filmi zhvillohet rreth këtyre dyve, ndonëse në distancë e skena të ndara. Si Viola Davis, ashtu edhe Chadwick Boseman zotërojnë skenat ku janë prezentë duke dominuar edhe dialogët në të dy anët – edhe me ‘sasinë’ e fjalëve që thurin, edhe me emocionet që përçojnë. Dhe ky zotërim, kjo betejë indirekte do të çojë deri tek një fund i cili më ka prishur filmin, që deri ato çaste shkonte goxha mirë.

Gjithçka tjetër, karakteret, aktrimi i shkëlqyeshëm, skenari, shtrimi i tregimit, është i shkëlqyeshëm. Momenti nga ku nis të shtrohet finalja, ma ka prishur.

Nuk duhet të harrojmë edhe punën e aktorëve dytësor në këtë film, të cilët zhvillohen nën hijen e dy karaktereve kryesore, ata i japin një nxitje zhvillimit të atyre dy karaktereve, e mbi të gjitha, zhvillimit të tregimit.

Pak mbi 90 minuta, dy histori, dy super-aktrime, një film i shkëlqyeshëm. Nota personale: 4/5