‘Mad Max: Fury Road’ është arsye e mjaftueshme për të nisur trilogjinë e filmave të ‘Mad Max’, nëse nuk e keni bërë këtë më herët. ‘Fury Road’ ruan shumëçka nga origjinalja, dhe i përshtat ato me kushtet teknologjike të dekadës së kaluar, duke shtuar edhe një kastë aktorësh të suksesshëm që përshtaten me atë ritëm të realizimit teknik të filmit.

Largo zellin e realizimit teknik të ‘Fury Road’, tek ‘Mad Max’ i kemi të gjitha.

Ngjarja ndodh në Australinë në të ardhmen post-apokaliptike. Dhe është një ambient i tillë post-apokaliptik që përmbushë shumë nga kërkesat e një bote të këtillë. Kemi një vend që të duket i pjekur nga nxehtësia, shumë pak persona në këtë botë, dhe shumica nga këta persona nuk kanë asgjë të përbashkët me personat e shoqërisë ‘normale’ para-apokaliptike. Edhe ndërtimet të ngjajnë në një botë post-apokaliptike, të braktisur e të vdekur.

Në këtë botë, Maks – një polic vendos të ndalojë kërdinë e një bande të dhunshme motoçiklistësh.

Mel Gibson vjen në rolin kryesor të Maksit, duke kryer një punë të mirë, ngjashëm si pjesa tjetër e kastës që luajnë role njerëzish jo krejt normal, që më impresionojnë pak më shumë se Gibson, të cilin më pas e kam parë në role edhe më të mira!

George Miller, i cili është krijues edhe i historisë në fjalë, ka bërë edhe regjinë edhe skenarin në mënyrë mjeshtërore. Kemi ndërtimin e ngjarjes që na bën të marrim anën ‘e duhur’ në film në përgatitje për betejat gjatë rrugës. Mezi pres që të shoh vazhdimet tashmë të kumtuara të kësaj historie – Furiosa dhe Mad Max: The Wasteland, po ashtu nën penën e kamerën e Miller.

Ndonëse në aspektin teknik sot mbetet larg filmave me tematikë të ngjashme, ‘Mad Max’ ishte zanafilla e një franshize që në këtë teknologji po e shfaq cilësinë e njëmendtë. Por, përkundër handikapit teknik, në aspektin kreativ, filmi mbetet para shumë filmave post-apokaliptik modern. Nota personale: 4/5