Nëse jeni pak të interesuar me historinë, mund të gjeni dhjetëra skenarë se si Hilteri dhe Gjermania do të mund të kishin fituar Luftën e Dytë Botërore. Një nga skenarët mirë të përpunuar është ky tregim që vjen në libër nga Philip K. Dick.

Libri i botuar në vitin 1962, ndjek ngjarjen në të njëjtin vit, tani kur Gjermania dhe Japonia kanë ndarë SHBA-të duke lënë një pjesë neutrale ndërmjet veti. Si në çdo aleancë, edhe këtu ka dallime në qeverisje, dhe këto dallime janë gati të eskalojnë me çarje ndërmjet vet aleatëve. Tashti, do të provoj të sjell një recensim pa dhënë shumë detaje, por megjithatë duke përfshirë spoilera, të kësaj bote që ndoshta është duke ndodhur në njërin prej shumë universeve paralele!

Xhuliana është një vajzë nga San Francisco i pushtuar prej japonezëve, motra e të cilës është e përzier me Rezistencën dhe papritmas zhduket. Ajo kishte qenë e angazhuar në një mision në bartjen e filmave që mblidhen nga ai që quhet ‘Njeriu në Kështjellën e Lartë’. Kur del të kërkoj të motrën, Xhuliana përfshihet në këtë mision rezistence, për të cilin një mendim jo shumë mikpritës ka i dashuri i saj Frenku, i cili është me origjinë çifute, tani në hije. Gjatë kësaj misioni ajo futet në zonën asnjanëse ku takon Xho Bllejkun i cili është njëfarë Severusi, agjent i dyfishtë. Ai si epror ka Obergruppenfuhrer Xhon Smith, një amerikan i bashkuar me forcat naziste pas okupimit. Pjesë e rëndësishme e sezonit të parë është edhe Ministri Japonez i Tregtisë, Nobusuke Tagomi.

Ngjarja ndërlidhet me këta, dhe karaktere tjera gjatë sezonit të parë, duke përfunduar në mister të mjaftueshëm për të vazhduar menjëherë me sezonin e dytë. Është një serial që nuk bën ta humbisni nëse jeni merakli në histori dhe ngjarje të këtilla, imagjinare, të cilat preferoj ti quaj alternative.

Aktrimi është i mirë, skenari gjithashtu, nganjëherë duket se merr shumë kohë për tu zhvilluar ngjarje, por megjithatë lidhen mirë në fund, duke i dhënë rëndësi pothuajse secilit karakter që përfshihet.

Alexa Davalos, Rupert Evans, e Luke Kleintank, nuk di sa keni mundur ti shihni më parë, por besoj që Rufus Sewell ju ka ra para sysh. Që të gjithë, duhet të them, përputhen me rolet që kanë. Është një punë mirë e bërë edhe para kamerave, derisa njeriu pas kamerave, kreatori Frank Spotnitz ka bërë seriale si The X-Files, Medici, e Ransom.

E tashti, spoilerat!

Bajagi jam i merakosur të shoh se çfarë roli të vërtetë kanë Xhon Smith dhe Nobusuke Tagomi. Të dy duket se kanë agjenda të fshehura, dhe janë kundër qeverisjes momentale. Por, me fundin ku Smith lidhet direkt me Hitlerin sikur diqysh po del goxha lartë në anën e tij. Për momentin lufta gjermano-japoneze po evitohet, të qarat po mbesin nën tepih, dhe nuk pres që gjërat të ndryshojnë shumë në sezonin e dytë.

Pasi seriali është prodhim i vet Amazon, mund të vazhdoj edhe përtej sezonit të tretë e të mbetemi në pritje të eskalimit të konfliktit. Apo për të mësuar se kush është ‘Njeriu në Kështjellën e Lartë’, edhe pse do të duhej të ishte një sinonim për vet Hitlerin plani i të cilit për Alpe përmendet shpeshherë.