Categories
Filma

Mank (2021) – Recensim

A mund të krijohet diçka e jashtëzakonshme nga një burim i zakonshëm?

A mundet një njeri normal, të krijoj diçka speciale?

Citizen Kane është njëri ndër filmat më të mëdhenj në historinë e kinematografisë. Pos anës teknike, filmi më mahnit në rrëfimin e historisë që përqendrohet rreth një karakteri që provon të zotërojë botën në kërkim të një momenti minimal lumturie.

Ky film është ode për bashkë-kreatorin e Citizen Kane, Herman Mankiewitz – Mank.

Historia e Mank në këtë film nis me aksidentin e tij në komunikacion që e lë të palëvizshëm përkohësisht. I angazhuar në përfundimin e skenarit të ‘Citizen Kane’, Mank merr të gjitha që kërkon nga Orson Welles, përfshirë mbylljen në një kasolle me daktilografe dhe shërbëtore. Dhe, i privuar nga sëmundja e tij – alkoolizmi.

I realizuar bardhë e zi, ky film pos dhomës së gjumit në të cilën është i ngujuar Mank, shkon në kohët e mëparshme të karrierës së tij, skena të cilat hapen me tekstin e skenarit dhe tingujt e makinës së shkrimit.

E këto skena kanë një nuancë bukurie me Amanda Seyfried, e cila luan njërin ndër rolet më të mira në karrierën e saj, mbushur me linja që sfidojnë karakterin e Mank – superior ndaj tjerëve, por i nënshtruar ndaj Marion Davies – karakterit të saj, e cila e shtynë në një rrugë këndelljeje, në një pozitë ku talenti i tij do të rridhte pa nevojën e alkoolit.

Në periudhën aktuale, kemi një Lily Collins në rolin e daktilografes/sekretares, e cila e bën të njëjtën, dhe në një kryqëzim të periudhave, gruan e Mank – Tuppence Middleton që bën të njëjtën.

Por, sigurisht që të gjithë mbeten në plan të dytë ndaj aktrimit të Gary Oldman në rolin e Mank, të cilin ai e sjellë në ekran si një skenarist e orator të zot, një njeri të mençur, me një karakter të çarë që shpëtimin e kërkon si shumë veta, në alkool.

David Fincher bënë regjinë e këtij filmi, derisa bazohet në skenarin e shkruar nga i ati i tij, gazetar, skenar i cili kishte qëndruar në pritje që nga vitet 1990ta. Pra, mund të themi që njëkohësisht Mank, është një ode personale e David Fincher ndaj të atit të tij. Dhe kjo bëhet në një mënyrë që do të kënaqte tjerët, por si zakonisht, baballarët do të gjenin diçka që do të mund të bëhej ‘edhe më mirë’!

Më pëlqeu filmi pasi ishte bardhë e zi, sillte historinë e njërit nga filmat e mi të preferuar, e mbi të gjitha, Gary Oldman ishte i mrekullueshëm. Nota personale: 5/5