E urrej Prishtinën!

Dhe krejt për arsyet sekondare! Jo për shkak të ajrit të ndotur, jo për shkak të ndërtesave, e as për shkak të snobizmit që thellë në vete përmban. Por, për krejt ata që prodhojnë arsyet sekondare – njerëzit. Janë njerëzit që nuk zbresin nga veturat që lëshojnë atë ajër të ndotur; janë njerëzit që jetojnë në ato ndërtesa që assesi të mbushen; janë njerëzit që kanë një lloj snobizmi e kryelartësi që i shtyn deri tek krijimi i ‘klubeve pinjolle’.

Dallimi ndërmjet Los Anxhelosit dhe Nju Jorkut është ndër problemet kryesore në jetën e përbashkët të Çarlit dhe Nikollës. Një çift që del të jetë i përkryer në pah të parë, vendos të ndahet, dhe gjatë këtij procesi derdhin shpirtin e zemrën nga të gjitha që kanë mbjellë e konservuar me vite. Sepse kur mbushet kupa, atëherë shpërthimi, pos i paevitueshëm, është edhe në përmasa ekstreme.

Gjatë këtij procesi divorci, Adam Driver dhe Scarlett Johansson ju japin jetë karaktereve të Çarlit dhe Nikollës në mënyrë të përkryer. Shihet qartazi që ndjejnë ato që thonë, që i përjetojnë, duke i dhënë një ndjenjë origjinaliteti filmit, duke na bërë të ndjejmë se po dëshmojmë një kacafytje në raste te veçanta, e kryesisht një shkatërrim lidhjeje, gjë që provon të na arsyetohet e dëshmohet gjatë kalimit të kohës. Historia është solide, dialogët janë më të mirë, por të gjitha mbesin në hije nga aktrimi i mrekullueshëm.

Prandaj, sado që mund të vlerësohet si një tregim i mirë vetëm falë dialogëve, skenari i Noah Baumbach del më i mirë se i disave nga veprat e mëparshme, por nuk ngjitet shumë në ndonjë shkallë të veçantë. Jo aq lartë sa për t’u vlerësuar ndër më të mirët e vitit. Kjo pasi thjesht, sikur unë me Prishtinën, të gjithë kanë çështje e probleme të ngjashme. Edhe dialogët do të ishin të këtillë, sikur shumica të kishin një elokuencë të tillë, e mbi të gjitha të kuptonin veten dhe rrjedhimisht problemin. Të mos harxhonin gjithë ato para në avokatë, të cilët në këtë rast kanë qenë portretizuar nga aktorë të mirë ndonëse me karaktere polarizuese dhe jo aq të ngrohta për mua si shikues – sidomos ai i Laura Dern, ndërkohë më erdhi mirë që pashë Ray Liottan në një film ‘serioz’. Alan Alda nuk mund të jetë ndryshe pos një gjysh i ëmbël, edhe këtu si në shumicën e filmave.

Përfundimisht, ‘Marriage Story’ mbetet një film mesatar, me një temë shumë normale, por me një aktrim e dialogë të fuqishëm. Nota personale: 3/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: