Roxher Federer është tenisti i tretë që fiton pesë herë turneun e fundit të vitit që cilësohet si kampionati botëror pasi mbledh tenistët më të mirë gjatë vitit. Ai mposhti në finale numrin një në botë, spanjollin Rafael Nadal i cili akoma nuk ka fituar këtë titull. Nadal dominoi këtë sezonë, fitoi edhe US Open, grend slemin e vetëm që nuk e kishte fituar si dhe shumë turne Masters, por me këtë fitore Federer vuri kapakun se kush është tenisti më i mirë në botë. Gjatë tërë javës Federer shfaqi superioritet ndaj tenistëve të tjerë. Asnjë ndeshje e tij nuk zgjati më shumë se një orë e gjysëm. Edhe në finale ai arriti të mposht Nadalin duke thyer shërbimin e tij tre herë, dy herë në setin e fundit të cilin e fitoi 6:1. Të parin e fitoi 6:3, ndërsa të dytin e humbi 3:6. Nadal kishte pushuar javët e fundit duke u përgatitur në maksimum për këtë turne, ndërsa në anën tjetër Federer kishte marrë pjesë në turne si ai i Bazelit dhe Parisit, por kjo nuk i pengoi në rrugën e tij deri tek fitorja e pestë në turnetë finale të vitit. Më herët këtë e kanë arritur vetëm Ivan Lendëll dhe Pit Sampras. Është titulli i parë i Federerit në Londër, derisa më herët në finale kishte fituar në Hjuston dhe Shangai. Federer në mënyrë maestrale përmbyll këtë sezonë jo aq për lavdërata, me një fitore shumë të rëndësishme.

Javën e kaluar përmenda që Ançeloti ka shumë gjasa të largohet nga Çelzi. Këto mundësi janë shtuar gjatë javë pasi është përmendur edhe largimi i i drejtorit teknik, Frank Arnesen i cili do të braktis skuadrën në fund të sezonit. Në pozitën e tij pritet të vendoset Ciki Beguiristan, ish-drejtor i Barselonës. Kjo menjëherë lidhet me Pep Guardiolan i cili do të jetë kandidati i parë për të zëvëndësuar Ançelotin tek Çelzi. Të gjitha këto s’janë asgjë tjetër pos shkrime gazetash, por, një gjë që po vërehet janë katër humbje të Çelzit dhe vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit. tani Çelzi ka humbur pozitën e parë ndaj Mançester Junajtedit të Sër Aleksit, për të cilët Dimitar Berbatov shënoi hiç më pak se pesë gola në fitoren e thellë ndaj Bllekbërnit. Më në fund ky lojtar ka filluar të shpaguhet kur tani me 11 gola të shënuar i prin listës së shënuesve më të mirë në Premier Ligë. Arsenal nuk gaboi ndaj Aston Villas, por gabimin e Arsenalit e bëri Liverpul. Më mirë të themi Totenhemi ia bëri edhe Liverpulit si Arsenalit, u rikthyen nga disavantazhi për të fituar, këtë javë vetëm 2:1. Por, Herri Rednap beson që mund ta fitoj Ligën e Kampionve, pse të mos besoj edhe në Premier Ligë, edhe pse ka shumë skeptik. Sido që të jetë Premier Liga ka filluar të “nxehet” me krizën e Çelzit.

Në anën tjetër në ligën “bajate” të Spanjës, sonte zhvillohet ajo për të cilën pritet një sezonë, “el klasiko” në mes të Barselonës dhe Realit të Madridit. Mbrëmë qeveria me seli në Madrid ka pësuar një disfatë në Katalunjë, por a do të jetë edhe sonte ashtu mbetet të shihet. Të dy trajnerët e sidomos Murinjo që nuk e ka zakon, kanë dhënë deklarata të matura. Vërtetë frikësohet Murinjo nga Barsa, apo pret fundin e ndeshjes të përçmojë ata?! Murinjo nuk ka humbur asnjë ndeshje duke udhëhequr Realin, nuk besoj që sonte do të jetë e para, edhe pse shumë veta mendojnë që Barselona do ta mposht lehtë Realin. Është Murinjo në anën tjetër që di të mbyllet sikur “iriq” dhe sa herë që tenton ta prekësh “të pickon”. Nuk dua të nënçmojë Barselonën pasi kanë një strateg fantastik me një skuadër të shkëlqyeshme, por, vështirë është të gjesh favoritë në këto ndeshje. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë sonte është të ulemi dhe të shohim spektakël, edhe pse Murinjo di të bëj lojë monotone, por, besoj që do të luajnë lojë të hapur të dyja skuadrat që të na mundësojnë të shohim futboll cilësorë. Për skuadrat dhe gjërat tjera nuk ja vlen të diskutohet liga e Spanjës.

Në Bundesligë Mainci ka arritur të largohet nga Leverkuseni, ndërsa nuk ka mundur t’i afrohet Dortmundit që ka fituar sërish. Në 13 ndeshjet e fundit Dortmund ka shënuar 12 fitore dhe vetëm një barazim, 1:1 me Hofenhajmin. Për befasi ishte humbja e Shalkes, 5:0 nga Kaiserslautern që i bie “shuplakë” fytyrës së Magathit. Edhe pse kanë siguruar rrethin e dytë në Ligën e Kampionve, Shalke është e fundit dhe 13 pikë larg pozitës së pestë që siguron pjesëmarrje në garat evropiane. Fitore të rëndësishme ka shënuar Verder që mposhti Sent Paulin, i cili ka filluar një “rënie të lirë” drejt fundit, 1 barazim – 6 humbje. Rënie javëve të fundit kanë shënuar edhe Frajburg dhe Frankfurt që kanë humbur dy ndeshjet e fundit që i shpie në mesin e renditjes, derisa para dy javëve ishin ndjekësit kryesorë të tri skuadrave të para.

Në Itali vetëm Inter dhe Palermo kanë shënuar fitore nga pjesa e epërme e renditjes. Milani luajti mirë, por u vërejt lodhja ndaj Sampdorias, Lacio nuk arriti më shumë se një pikë ndaj Katanias, ashtu si edhe Juventus ndaj Fiorentinës së fundosur. Napoli u mposht thellë nga Udinese që ngjitet në pjesën e epërme pas një starti katastrofal të sezonës, ndërsa Interi fitoi thellë ndaj Parmës, ashtu si Palermo ndaj Romës.