Categories
lomsh

Më mësoni me dashtë Shqipninë*

Si fëmijë, gjithmonë kam pasur problem të përcaktohem sa pendla t’i lë shqiponjës, gjuhën jashtë a brenda, dhe ndonjë adoleshent fqinj më thoshte që dukej sikur sorrë.

Sot, kur shoh flamujt e vendeve tjera, sidomos ata që kanë kreshta të ndryshme në qendër, i kujtoj fëmijët e atyre kombeve dhe hamendësoj si e kanë vizatuar flamurin e tyre në bllok 2. Po të isha tani në shkollë, do e kisha më vështirë ta bëja këtë të Kosovës, ndoshta.

Flamuri, kombi, historia, himni që këndonim në shkollë gjatë kohës së okupimit më ngrohte zemrën. Ndjeja një dashuri.

Sot nuk ndjej dashuri. Dhe kjo ka gati afron në dy dekada!

Nuk ndjej dashuri për flamurin më!

Nuk ndjej dashuri as për himnin!

Nuk ndjej dashuri as për Shqipninë!

Dhe për këtë më duhet të ‘falënderoj’ shumicën e njerëzve që njihni ju – miqtë tuaj, familjarët tuaj, kolegët tuaj!

Është një falënderim ironizues, dhe këtë duhet ta përmend sepse ka shumë që nuk i kuptojnë ‘thonjëzat’ e as fjalën ironi! Por, këto nuk janë më keq se ata që në pozita zyrtare bëjnë gabime themelore në drejtshkrim!

Falë këtyre dhe atyre që japin mësime e kanë dy-tre tituj, por nuk dinë të shkruajnë e lexojnë, unë nuk di me dashtë Shqipninë sot!

Më mësoni me dashtë një popull të prishur në zemër, që vjedhë vëllain e motrën çdo ditë që lind dielli. Qysh me dashtë një Shqipninë, ku tri vende të saj janë në vendet më të korruptuara në Evropë (përjashto Rusinë me Ukrainën) – https://tradingeconomics.com/country-list/corruption-index?continent=europe

Më mësoni me dashtë një popull mendjetrashë që krenohet me ‘pastërtinë’ e gjakut dhe prejardhjen prej fiseve dymijëvjeçare, derisa rron me po të njëjtin mentalitet edhe sot!

Më mësoni me dashtë një popull që bërllogun e hedh në rrugë, që mbush plastikë e bajga artificiale natyrën, që shtron çimento çdo pëllëmbë gjelbërimi, që nuk mban nuk fut në xhep një mbeturinë, por e flakë deri ku t’ia çojë dora!

Më mësoni me dashtë një popull që botën shtazore e bimore e sheh si një konkurrent, një popull që mbjellë urrejtjen ndaj kafshëve e çdo gjëje inferiore në zemrën e pasardhësve të tij!

Më mësoni me dashtë një popull që zgjedh udhëheqës hajdutin, mashtruesin, të pamoralshmin, në administratë, në shkollë, në faltore, në klub argëtimi!

Më mësoni me dashtë një popull ku gjysma e tij, vetëm për shkak të gjinisë nuk mund të ecin, zhvillohen, e as të frymojnë lirshëm, vetëm e vetëm pse janë gra!

Më mësoni me dashtë një popull që nuk lexon një libër në muaj, një popull që nuk ka asnjë gazetë a revistë pa fotografi, një popull që komenton me të shara e ofendime, pa ditur të thur as edhe dy fjali pa gabime!

Më mësoni me festu këtë ditë, sepse nuk po di çka kemi me festu!

Vet shpallja e pavarësisë ka qenë një mbijetesë, jo një fitore!

Dhe sot, 108 vite më pas, ne ende festojmë sikur të kishim fituar, derisa ajo mbijetesë vetëm sa po venitet!

Ose, lëre kejt… ashtu siç kemi lënë gjithçka të zorshme, dhe jemi kapur me të lehtat – ofendimet që na e shpërfaqin fashizmin që e kemi të mbjellë padrejtësisht në zemrat tona.

Më jepni Kastriotin, Fan Nolin, Konicën, Fishtën, Hasan Prishtinën, Samiun e Naimin, Moisiun, Asllanin, Lasgushin, Terezën, Belushët, Muradin, Duan. Më jepni më shumë si këta, dhe unë do mësohem ta dua Shqipninë edhe sot.

Do mësohem ta dua Shqipninë, e mos të ndjej keqardhje e dhembshuri, për një vend të bekuar që po rrënohet sikur të ishte i nëmur, nga ata që pretendojnë se për të ndjejnë dashuri!

Bëhuni që ky vend të ndjejë krenari me juve, të ju festojë juve, sepse ju, sepse ne, sot kemi një paragraf njerëzish e ngjarjesh për të festuar, e festojmë sikur të kishim shkruar të tri vëllimet e ‘Të mjerëve’!

*Me Shqipni i referohem të gjitha trojeve shqiptare, edhe atyre që mbeten jashtë kufijve të vitit 1912, jo vetëm Republikën e Shqipërisë!)

Në fotografi janë kuvendarët e parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë, në vitin 1921. Në foto, gjeni Fan Nolin, Mit’hat Frashërin, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën. Veprat e tyre jehojnë edhe sot, njëqind vite më pas. Veprat e këtyre bërllogave që kemi sot, si lart e poshtë, do të mbahen në mend me erë bajge!