Categories
Filma

Më në fund Johnny – Oskarët 2016 (1)

Ceremonia e 88të e shpërblimeve Oskar do të organizohet me datë 28 shkurt 2016, për të shpallur më të mirët në botën e kinematografisë për vitin 2015. Çdo të martë do të provoj të sjell risitë dhe ecuritë drejt kësaj ngjarjeje me përmbledhjen e recensimeve të filmave të fundit, si dhe kritikat e lajmet e reja që kanë të bëjnë me këtë ceremoni.

Duket se kategoria për aktorin më të mirë do të përcaktohet ndërmjet Leonardo DiCaprio dhe Johnny Depp. Derisa ‘The Revenant’ del vonë në kinema, ‘Black Mass’ tashmë ka kaluar një kohë të konsiderueshme nëpër to.

Filmat për mafinë dhe Bostonin janë të shumtë, dhe ‘Black Mass’ nuk sjell asgjë speciale. Është një tregim i përpunuar e realizuar mirë, por gjithçka mbetet nën hijen e performancës së Johnny Depp. ‘Piratii’ ka pasur disa projekte të tmerrshme viteve të fundit sidomos ‘Mortdecai’, por tek ‘Black Mass’ sikur ringjall talentin e tij prej një aktori sipëror.

Aktrimi i Depp ka të sigurt nominimin, por për të marr titullin me vete duhet të mposht DiCaprion. Në bazë të trailerave deri tani edhe Eddie Redmayne mund të shfaqet si fitues i befasishëm.

‘Black Mass’ mund të sjell në konkurrencë për Oskar edhe Joel Edgerton dhe Julianne Nicholson, por nominimi është larg për ta.

Një kategori e përfunduar qysh tani është ajo e filmit më të mirë të animuar. ‘Inside Out’ është film me skenarin më të mirë origjinal që kam parë këtë vit. Pos kategorisë së filmit të animuar, do të jetë favorit edhe për skenarin më të mirë origjinal përfshirë edhe filmat tjerë.

Pixar do të sjell edhe ‘The Good Dinosaur’ më vonë këtë vit, por për mua ‘Inside Out’ mbetet ‘Frozen’ i këtij viti.

Top 3 filmat më të mirë këtë sezon për mua mbeten: ‘Inside Out’, ‘Me and Earl and the Dying Girl’, dhe ‘Ex-Machina’. Që të tre kanë një gjë të përbashkët – skenarin e mrekullueshëm. Nominimi për filmin më të mirë, e për Oskar tjerë dytësor nuk është në plan për këta dy të fundit. Por, Oskarët nuk pasqyrojnë shijet tona personale.

‘The Revenant’ mbetet filmi më favorit në bazë të trailerave për momentin. ‘Spotlight’ dhe ‘Steve Jobs’ mund ta konkurrojnë. Sidomos ky i fundit duke u bazuar në zotësinë e Aaron Sorkin.