Categories
Sport

Me rëndësi që humbi Serbia

Një maturant/-e në vendin tonë që hynë në moshën madhore i ka dy rrugë para vetes.

E para, të nis fakultetin, ta përfundoj, pastaj të vazhdoj me mastersin, ta kryej, pastaj të nis edhe një fakultet, dhe ndoshta mos atëherë rastësisht, edhe atë nëse ka të njofshëm, ose ndonjë të inkuadruar gjerë e gjatë në partinë në pushtet (varësisht se cilës i vije radha) të futet në qeveri nëse është aq fatlum sikur të fitonte llotarinë, ose në njërën nga bankat të cilat vazhdimisht po zhvishen dhe ngushtojnë veprimtarinë që të rrisin fitimin neto nga kamatat marramendëse, apo tekefundit edhe diku në arsim, pse jo, tashti po u rriten rrogat, po paguhen rrugët e shujtat, edhe pse cilësia e mësimit që japin nuk është as sa gjysma e rrogave që marrin, por, a nuk është njëjtë edhe në qeveri e cilindo shërbim publik?!

E dyta, ti përvjelë krahët ti futet Facebook-ut dhe të nis të ‘poke’ një nga një opsionet adekuate të cilave vendbanimi iu shkruan në Zvicër, Gjermani, apo me shumë fat edhe në Amerikë. Nuk u intereson asnjë veti tjetër, pos vendbanimit, derisa një fotografi me buzë apo gjoks të fryrë do të ishte xhekpot (po përdorim terme basti, kumari, sepse kjo është një alternativë e mirë e rinisë së papunë për të bërë diçka, pos makiatove, diskotekave ku paguajnë vetëm djemtë, dhe… dhe s’bëjnë gjë tjetër).

Por, ‘interneti’ po e ka edhe dobinë – trendin. Çfarë është në trend është e mirë. Nejse kjo vlen për snobët, por këta as nuk e dinë se çfarë janë.

Basketbolli…

Televizioni publik herë pas here, edhe pse në cilësi katastrofike si të zërit, ashtu edhe të fotografisë, dhe gjithçka tjetër që gjendet përbrenda aty, sjell kampionate botërore në futboll, basketboll, hendboll. Pasi jeta është e shkurtër, nuk po diskutojmë e as nuk po shikojmë kanale të tilla.

16 ditë ka zgjatur kampionati botëror në basketboll. Është ngjarje interesante për basketbolldashësit, sidomos tek ne ku cilësia e basketbollit ka rënë shumë pas hovit të pasluftës. Gjithçka u bë e madhe, interesante asokohe, kishte para, kishte basketbollistë të mirë, kishte kënaqësi. Por, pastaj vendosën ta bëjnë ‘Ligën Profesioniste me shumë amatorë‘ (titull i një gazete atëbotë), Universiteti mbërriti në finale të Trocal Ligës, pastaj u pajtuan federata dhe klubet, dhe tani askush nuk qan kokën për ta.

Duke mos pasur gajle tjera, ishte radha që kosovarët ti ngjiten edhe një herë ekranit dhe në mungesë të kombëtareve tona, ishte radha të përkrahnim kombëtaret që do të mposhtnin Serbinë. Në njëfarë mënyrë kampionati u shndërrua në një kampionat i Serbisë për neve. Prisnim çdo ditë me padurim të humbnin. Së pari në grupe kishin qenë afër, pastaj Greqia pritej ti mposhte sepse kishin qenë perfekt në grupe, pastaj Brazili, pastaj Franca (ah Franca, për pak, sikur ta kishin Parkerin), por, në fund, edhe një herë, sikur në 99tën, Amerika nuk na dëshpëroi. Shkeli, shkatërroi, fundosi, varrosi, dhjeu serbët. Për dikë e hëna është ditë e zorshme, por jo për neve. Me rëndësi që Serbia është mposhtur, edhe atë e ka mposhtur miku ynë më i afërt që gjendet qindra mijëra kilometra larg, Amerika.

Serbia nuk u bë kampion bote dhe gjithçka është në rregull në Kosovë. Kemi institucione të zgjedhura, korrupsion më pak se Danimarka, shkojmë ku të dojmë pa viza, papunësia nën 8%, shërbimet publike perfekte, 80% e maturantëve kalojnë testin pa i ndihmuar askush. Por, mbi të gjitha kemi një rini sportive të talentuar që ia ka lakmi e tërë bota, e edhe Serbia (le të plasin nga xhelozia).

 

Talentët…

Një ish-nxënës i imi, nuk po ia përmend emrin, por i pëlqen basketbolli tejmase, çdo pasdite, edhe vikendeve e ke në oborrin e shkollës duke luajtur, shumicën e kohës edhe vetëm, basketboll. Shpeshherë i bashkohet edhe një shok tjetër, pak më i ri. Edhe atij ngjashëm i pëlqen basketbolli.

Të dy udhëtojnë në qytetin më të afërt për të ushtruar në klubin e basketbollit që tashti është përjashtuar nga Superliga e Kosovës. Por, e dini çfarë thonë banorët përreth aty për ta? ‘Talentat’… Po, ‘talentat’ edhe atë me një të qeshur cinike duke shtuar ‘e bonun betin tu lujt kosh, vetmeveti, tan ditën, si t’trent’. Talenti i tyre merret si shaka. Edhe pse dorën në zemër janë edhe djem të sjellshëm, të urtë, kujt nuk i bëjnë keq, e mbi të gjitha kanë talent, dashuri, dhe përkushtim për basketbollin. Ama, rrethina i qeshën. Nuk janë të parët, nuk janë të fundit që do ti qeshin, do ti nënçmojnë.

Nuk na nevojiten neve talentet. Me rëndësi është të humb Serbia.

E a mërzitet Serbia për talentet e tyre? Sigurisht po të kishin një qëndrim të këtillë ajo kombëtare të cilën e kam vërejtur vetëm në dy ndeshjet e fundit (pasi sikur disa nuk jam lodhur të bëhem merak për ta gjatë tërë kampionatit me shpresën se do të humbin) është krenare me talentet si Bogdanovic, Kalinic, Stimac, Teodosic etj. Janë për lakmi, dhe sigurisht do të doja të kishim lojtarë të tillë edhe ne. Por, neve nuk na nevojiten talentet. Me rëndësi është të humb Serbia.

 

Por, sa po humb Serbia?

Pa u futur në librat e historisë për të gjetur njërën nga shkollat më të mira të basketbollit në botë pas SHBA-ve, dy herë kampionë të botës pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së, dhe sukseset që kanë korrur si individë lojtarët serb, vetëm të hedhim një sy në gjendjen aktuale të Serbisë së vetmuar se ku është në përgjithësi në sport.

Kombëtarja e basketbollit është e dyta në botë tani. Femrat marrin pjesë në kampionatin që nis së shpejti. Në volejboll të dy kombëtaret janë në kampionatet botërore. Në hendboll gjithashtu. Në futboll kanë ngecur paksa, e mos të përmendim vaterpolon që është ndër sportet e tyre të preferuara. Kanë rekorderë bote në not, kampion bote në atletikë, fitues medaljesh olimpike në të dyja garat. E për tenis? Kanë më të mirin në botë, kanë dy teniste në Top 20 (hulumtoni renditjen e 1500 tenistëve më të mirë në botë, nuk e kemi asnjë shqiptar). Mos të futem në sportet tjera…

Popullsia e tyre është rreth 7 milionë. Po të bashkonim Shqipërinë dhe Kosovën do të kishim së paku 5 milionë. Por, Mali i Zi nuk ka as 800 mijë e është shumë më i suksesshëm për 8 vite pavarësi se sa Shqipëria për 102 vite pavarësi.

Por, të kthehemi tek basketbolli edhe një herë. Serbia ka një ekip vazhdimisht në Euroligë, dy e më shumë ekipe në Eurocup, rrallëherë luan në kualifikime për evropian e botëror pasi kualifikohet direkt. Pas Kanadasë është vendi i dytë së bashku me Francën me më shumti basketbollistë në NBA – 21 kanë të dyjat. Pa harruar të përmendim edhe Vlade Divac, një emër që e njohin anembanë botës, dhe një atdhetar i madh. Pikërisht nami që ka si basketbollist i ndihmon në pozitën e tij si kryetar i Komitetit Olimpik të Serbisë që si Shqipëria është themeluar në vitin 1912, pozitë që mundon Kosovën të pranohet në KON. E kë ka Kosova në krye të Komitetit Olimpik? Besim Hasanin, njeriun e pazëvendësueshëm më shumë se dy dekada. I pazëvendësueshëm sepse sukseset e KOK-ut të lënë pa mend. E vetmja gjë që ka bërë ky njeri është uzurpimi i Federatës së Ping Pongut e cila ishte e para e pranuar ndërkombëtarisht, duke vendosur të birin e tij që akoma nuk kishte mbushur njëzet vjet në krye të federatës, e përsëris të vetmes së pranuar ndërkombëtarisht.

Shqipëria nuk luan as parakualifikimet ku luajnë kombëtaret më të dobëta. Nuk ka pasur kurrë një ekip në garat evropiane për këto tri dekadat e fundit sa e mbaj mend unë (sigurisht edhe më herët, por kurrë nuk i dihet, del ndonjë), e NBA-në nuk e shohin as në TV sepse nuk e transmeton askush. Ne jemi më mirë falë Kujtesës që sjell edhe Euroligën edhe NBA-në. Edhe kemi ekipe në Balkan League.

Por, me rëndësi është, tashmë pe dini edhe ju, të humb Serbia. Po pra, me (ish)msusin (linjë e përmendur shpesh tek show meselation paslufte).

Halli…

Ne nuk kemi kohë për të zhvilluar sportin. Derisa njerëz si Djokovic, Bogdanovic, Markovic vlerësohen në mesin e talenteve më të mëdhenj në botën e sportit, ne vetëm do ti shohim në TV, do të postojmë statuse për të uruar Amerikën dhe miqtë tanë ndërkombëtar që po mposhtin Serbinë, e cila edhe është e zënë me përcaktimin e datave të mbledhjes së kuvendit, e punëve tjera të brendshme kosovare.

Sporti? Shnosh na…
tashti hajde t’hyjmë n’facebook edhe t’postojmë diqka, sikur me sha autorin e ktij shkrimi, se sigurisht ka noj lidhje me serbi… me shumë munci e ka pagu udb-a, edhe nuk i don interesat e Kosovës… tradhtar…