Categories
Milan

Memoriet e një milanisti! – Ditari i një milanisti!

Ka kohë që nuk kam shkruajtur për formën e Milanit. Së pari prisja të përfundojnë ndeshjet kundër Napolit, Juventusit, dhe Tottenhamit, ashtu që të ishin tri fitore dhe një rezultat perfekt ku do të thurrja vargje lavdie për Paton e mrekullueshëm ndaj Napolit, Gattuson “e qartë” ndaj Juves, dhe triumfin në “White Hart Lane”. Harry Redknapp më prishi punët! Jo pa arsye e çmoj si trajnerin më të mirë anglez në vitet e fundit, dhe i pari që kalon në çerekfinale për s’di sa vite. Redknapp bëri lojë të shkëlqyeshme në San Siro duke sulmuar dhe mos lejuar Milanin të përdor armën kryesore – kundërsulmet. Milani në anën tjetër mbrohej me tre qendërmbrojtës duke kërkuar që të mos pranonte gol që nuk ia arriti në fund. Në Angli, Redknapp bëri atë që duhej. U mbrojt. U mbrojt në mënyrën më të mirë, duke pritur në ndonjë rast nga kundërsulmet për të nokautuar kuqezinjtë. Mbuloi për mrekulli Ibran dhe Paton të cilët së bashku nuk kanë patur as 5 goditje në portë, nëse nuk gabohem se kanë kaluar gati dy javë. Megjithatë, Milan jo që nuk kishte fat, por nuk kishte “trajner” të hajrit në asnjërën nga dy ndeshjet. Nuk mund të pritet suksese me atë mesfushë çfarë luan Allegri. Në anën tjetër Redknapp shfrytëzoi gjithçka, edhe anën psiqike duke ngritur Bale të ngrohet qysh në pjesën e parë, e e fut në 20 minutat e fundit ku ai nuk arrin të bëj asgjë. Milan do të kalonte në çerekfinale sikur të ishin shumë gjëra më ndryshe.

Më pas erdhi barazimi “vetëvrasës” ndaj Barit dhe humbja jo shumë e papritur nga unë personalisht, pasi në Palermo kurrë nuk kemi fituar. Së paku duket si një kohë më e gjatë se një çerek-shekulli, sa jam unë. Këto dy ndeshje le të ju mbesin atyre që deklaronin se kemi bërë tregun më të mirë në janar. Kemi bërë treg relativisht të mirë, por ato pjesë të mira nuk po i përdorim. Emanuelson nuk i mbush syrin Allegrit, e as Villa. E unë për Cassanon nuk do të ndrroja jo Ronaldinhon, po as Borrielon. Krahasoni të arriturat e këtyre dyve pas vitit të ri me Cassanon, e nëse keni parë ndonjë ndeshje të Dinhos ose Borrit atëherë nuk keni nevojë për krahasime. Ibra ka qenë njeriu që ka vendosur Milanin në këtë pozitë të parë, pasi ai vetëm ka fituar shumicën e lojërave në vjeshtë. Personalisht nuk kam qenë kurrë fans i tij, por puna çfarë ka bërë ai në Milan këtë sezonë e bën më meritorin nga krejt skuadra. Një gjest palidhje tani mund të na kushtojë me skudeto?! Jo. Nuk është vetëm derbi me Interin vendimtare për skudeton, por edhe shumë ndeshje që vijnë më pas. Kemi humbur 5 pikë në ndeshjet e fundit, dhe ajo çfarë mund të ishte ngrohtë në pranverë +10 (si thonin disa milanistë në dhjetor po bën ftohtë – (minus) s’di sa gradë), tashti është vetëm +2. Shumë po bëhet zhurmë për lëndimin e Patos. Çfarë bëri Pato në dy ndeshjet e fundit. Shumë gjëra më mirë se Cassano e Robinho. Pra ka arsye të brengosemi, por nuk është ai në gjendje të përcaktojë rezultatin i vetëm. Milani nuk ka lojtar të tillë. Nuk ka lider. I vetmi lider nga kjo skuadër mund të del Thiago Silva. Është i aftë për të qenë kapiten qysh tani.

Në anën tjetër shoku i tij në qendërmbrojtje, Alessandro Nesta, ka dhënë deklaratën më të mençur që kam dëgjuar kohëve të fundit nga një milanist. Ndër të tjera tha “nuk do të zvarritem nëpër fushë, në fund të sezonit do të shqyrtoj gjendjen time dhe mund edhe të tërhiqem nga futbolli”. Kjo është mençuri. Sigurisht shikon ndeshjet e tija e edhe i sheh shokët e tij se si zvarriten nëpër fushë. Një zvarritje e tillë e Yepes na ka lënë jashtë Championsit tani. Jam shumë i bindur që të gjithë ata që janë më të ri se Nesta dhe janë +30 vjet, janë shumë më të dobtë dhe të paaftë për lojë se ai. Por, vetëm Nesta ka guxim të dal të flet të vërtetën. Ky është futbollist intelegjent. Ka qenë shtylla kryesore në dekadën e fundit për Milanin, qendërmbrojtësi më i mirë që nga koha e Baresit, qendërmbrojtësit më të mirë të gjitha kohërave në Milan. Por, koha është gjëja që urrej më së shumti, dhe për Nestën si qendërmbrojtës kryesor në Milan jam shumë i sigurt se ka mbaruar.

Më herët gjatë javës së kaluar shikoja disa video të kohës së Shevchenkos e Kakas në Milan. Më tepër të Shevës, që është lojtari më i mirë që kam parë në Milan. ka patur lojtarë më të mirë, por unë nuk kam qenë në ato kohë ti shoh. Më kujtohen Savicevic, Massaro, Desailly, Simone, Weah, e Bierhoff, edhe pse nuk kanë luajtur në të njëjtën kohë. Por, treshja holandeze ka qenë një vit para kujtesës sime. Dhe kur të krahasosh liderët që Milan kishte në atë kohë, me ata që kemi sot, atëherë do të vëreni se sa poshtë ka rënë Milan. Ndoshta jemi në krye të Serie A, por të jem i sinqertë asnjëri nga konkurrentët kryesor nuk po kalon sezonë të mirë. Inter mendon që ka shpëtuar me Leon, por mashtrohen, ata nuk kanë ndonjë titull për të fituar këtë vit, pos nëse ne ua japim titullin e Serie A. Juventus me gjithë ato transfere nuk është kërkah nga ajo e Capellos. Roma gjithnjë vazhdon me ato problemet e veta. E vetmja që po shkëlqen është skuadra e Udineses. Po të kishin patur një fillim më të mirë të kampionatit, do të ishin bindshëm në krye. Dhe nëse dështon Milani, favorit im për titull padyshim që do të jetë Udinese. Zhvillojnë futbollin më të mirë në Itali për momentin. Sidoqoftë, ku isha duke folur për historinë. Ato video më kthyen pak mbrapa dhe më kujtuan liderët dhe ata që luanin për MILANIN jo për para dhe për sukses personal. Që të kesh sukses në Milan, duhet të jesh milanist me zemër, të ëndërrosh Milanin. E për momentin lideri kryesor i skuadrës ka patur dhjetëra skuadra në ëndërr në fëmijëri, e të tjerët kanë ardhur për të rigjetur veten në rrugë drejt lavdisë. Ajo pjesë e mbetur nga lokomotiva e mesviteve 2000-2010, kohë pas kohe lëshojnë tym që më shumë shkakton dëme se dobi. Kjo më bën të mendoj që ndoshta më mirë do të ishte të shkruaja diçka si “Memoriet e një milanisti”. Ato sigurisht do të ishin dukshëm më të mira se këto që po shkruaj tani. J

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

Facebook: luan.morina