Categories
lomsh

Miami humbën përsëri, Lakers demolon Spurs

Kronikë amerikane – 07 mars 2011

NBA

Mos t’i menjanojmë nga lista e favoritëve akoma Lakers. Skuadra pas disa humbjeve të turpshme, si ajo nga Cleveland, janë rikthyer për të fituar shtatë ndeshje radhazi, dhe atë pa patur nevojë për transferime siç përflitej në media. Fitorja e radhës vjen ndaj rivalëve kryesor në Perëndim, skuadrës më të mirë në NBA këtë sezonë, San Antonio Spurs. Lakers pas pjesëlojës së parë udhëhiqte me 28 pikë diferencë, për të fituar në fund me 16 pikë. Kobe Bryan shkëlqeu me 26 pikë të shënuara. Ai renditet i shtati në histori të NBA me vetëm 13 pikë më pak se Moses Malone që renditet një pozitë më lartë. Për Spurs që deri para kësaj loje, kishin një seri prej 22 lojësh pa humbje në terrenin e tyre më i miri ishte Tony Parker me 14 pikë, i vetmi nga startuesit me pikë dyshifrore. Duncan pati vetëm 2, ndërsa Ginobili arrit në gjashtë pikë. Humbja vjen vetëm dy ditë pasi Spurs turpëruan skuadrën e Miamit duke emposhtur me një diferencë prej 30 pikëve. Megjithatë mbrëmë ata arritën të shënojnë vetëm 37 pikë në pjesëlojën e parë, minimumi për këtë sezonë, me një përqindje 36% të precizitetit nga loja. Por, ishte edhe më keq, ata ishin në disavantazh deri në 32 pikë në çerekun e tretë. Pos Bryant tek Lakers, sidomos në trapez, dominuan edhe Gasol me 21 pikë dhe Bynum me 17 kërcime.

Treshja e madhe në Lindje tashti janë në pozitën e tretë. Përsëri bën atë që po u humb ndeshjet e fundit. Edhe kundër Chicagos, Miami ishte duke udhëhequr pas pjesëlojës së parë, këtë herë me 9 pikë, ndërsa në fund humbën me -1 pikë. Në fund ndodhën disa gjëra ndoshta kontestuese. 3:30 para fundit Heat ishin në disavantazh 76-82, por ishte Mario Chalmers që udhëhoqi rikthimin, së pari me një treshe duke barazuar në 84, dhe me një dyshe 25 sekonda para fundit duke kaluar vendasit në epërsi 86-84. Në sulmin tjetër britaniku Luol Deng u faullua duke shënuar herën e parë, dhe huqur të dytën, por ai arriti disi të kap topin në kërcim, dhe ajo çfarë ndodhi më pas ishte kontestuese. A u faullua nga Mike Miller a Luol Deng rrëshqiti me këmbët e tij, kjo nuk ishte shumë e qartë. Sido që të jetë, Deng shënoi të dy gjuajtet herën e dytë duke kaluar Bulls në epërsi për 1 pikë. Në sulmin e fundit, Dwayne Wade nuk arriti të shënoj për të siguruar fitoren. Vetëm 1 herë nga 18 tentimet në 10 sekondat e fundit të ndeshjes, kohë e rregullt ose vazhdime, basketbollistët e Miamit kanë shënuar, dhe atë falë James që ka një bilanc 1-7. Wade ka bilanc 0-5. Derrick Rose udhëhoqi Bulls me 27 pikë, i ndihmuar nga Boozer me 12pikë/11kërcime dhe Noah 11 pikë. James shënoi 26 pikë, Bosh shtoi 23, ndërsa Wade shënoi 20 pikë për Miami.

Në anën tjetër Boston fitoi ndaj Milwaukee, për fitoren e pestë radhazi. Pierce shënoi 23, Garnett pati 14pikë/11kërcime. Oklahoma City mposhti Phoenix, New Orleans fitoi ndaj Cleveland, por u shokua 4:36 minuta para përfundimit në çerekun e tretë kur Chris Paul humbi topin dhe pas një përplasjeje me Ramon Session dhe Samardo Samuels mbeti i shtrirë në terren. Në fund doli të ishte vetëm një tronditje të vogël që do ta lërë jashtë fushës vetëm për 1 ndeshje. Dallas pësoi humbjen e parë pas 8 fitoreve duke pësuar nga Memphis që kaloi në epërsi me anë të Zach Randolph 3.1 sekonda para fundit.

NHL

Në NHL ndodhi një befasi deri diku e pritur. Flyers kishin tri humbje radhazi, dhe fitorja e Rangers disi dukej mbi horizont. Mirëpo fitorja prej 7-0 e New York Rangers ndaj Philadelphia Flyers ishte befasi e madhe. Gjithë kjo befasi pati një akter, Ryan Callahan që shënoi 4 gola dhe pati një asistim. Ishte rekord personal për numër të golave, dhe pikëve për një ndeshje, dhe gjithashtu më parë ishte edhe het-triku i parë i tij në karrierë. “Kur fillon shiu, vazhdon breshëri” – ishin fjalët e vetme të tij pas ndeshje. Ai barazoi suksesin e Marian Gaborik duke u bërë vetëm hokejisti i dytë këtë sezonë që shënon 4 gola për një ndeshje, ndërsa pas rikthimit nga lëndimi i dorës së thyer me 1 shkurt Callahan ka shënuar 10 golat dhe 6 asistime në 16 ndeshjet e fundit. Mats Zuccarello shtoi edhe dy gola, përderisa Aretem Anisimov shënoi një herë për fitoren gjigante të Rangers që i rehaton paksa në pozitën e gjashtë në Lindje edhe pse kanë dy lojë më shumë të zhvilluara se skuadrat konkurrente.

Calgary arriti të mposht Nashville, 3-2. Fitorja vërtetë i mban ata në luftë për play-off, por një karakteristikë e kësaj ndeshjeje ishte goli i Jerome Iginla i cili shënoi në periudhën e dytë nga penalltia. Ishte ky goli i 30 këtë sezonë që e bën vetëm lojtarin e 10 në histori të NHL që ka shënuar 30 gola për sezonë, në 10 sezona radhazi. 33 vjeçari ka shënuar 471 gola gjatëkarrierës së tij në NHL që e rendisin në pozitën e 50 në renditjen e përgjithshme. Mark Giordano dhe Curtis Glencross shënuan për Flames, ndërsa për mysafirët Martin Erat dheRyan Suter në periudhën e parë, e cila përfundoi në të mirë të tyre, 2-1.

Devils mund të mbesin jashtë play-off megjithë formën e mrekullueshme në 24 ndeshjet e fundit. Ata gjenden 8 pikë larg pozitës së tetë, megjithë që kanë fituar 20 nga 24 ndeshjet e fundit duke humbur 2 herë gjatë kohës së rregullt, dhe po aq herë pas lojës shtesë. Ishin Brian Rolston dhe Ilya Kovalchuk që siguruan dy pikë të reja për New Jersey duke shënuar në penalltitë në fund. Golin e vetëm në penallti për Islanders nga New York e shënoi Martin Brodeur. Kovalchuk dhe Rolston shënuan edhe gjatë ndeshjes por Islanders barazuan dy herë me Josh Bailey, dhe Blake Comeaun 3 minuta para fundit.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet

NBA

Miami – Chicago 86-87

San Antonio – LA Lakers 83-99

Detroit – Washington 113-102

Philadelphia – Golden State 125-117 OT

Atlanta – New York 79-92

Cleveland – New Orleans 81-96

Oklahoma City – Phoenix 122-118 OT

Dallas – Memphis 103-104

Milwaukee – Boston 83-89

NHL

NY Rangers – Philadelphia 7-0

NY Islanders – New Jersey 2-3 SO

Florida – Washington 2-3 OT

Minnesota – Buffalo 2-3 OT

Calgary – Nashville 3-2

Anaheim – Vancouver 0-3