Categories
Journal

Michael Clayton (2007) – Recensim

Avokatllëku është ndoshta profesioni më i pistë në histori të njerëzimit. Nejse, është edhe një profesion më i pistë, por s’do ta përmendi pasi hapet temë e gjerë e vetëm bëhet muhabet i kotë (për profesionin e politikanit e kam fjalën).

Një avokat i tillë është Michael Clayton. Megjithatë jeta i ka kthyer atë çfarë do të duhej ti kthente çdo avokati, dhe tani ai gjendet në një udhëkryq jete e cila po i rrënohet në çdo anë. Firma e tij është në prag të një shkrirjeje; miku i tij i ngushtë është duke u çmendur pasi ka zbuluar diçka të dyshimtë; vet është i mbushur deri në fyt në borxhe falë adeteve të tija të kumarit; dhe së fundmi, aty ku nis edhe filmi, është i porositur të ‘rregulloj’ problemin e një klienti i cili qartazi është fajtor për krimin e bërë.

Tashti, një dekadë pas, ky film mbetet një tregim i rëndomtë për botën e firmave ligjore, dhe skandalet që mbushin këtë botë. Megjithatë, filmi në vete është i veçantë, derisa shërben si një luftë e mbyllur në vete për shumicën e karaktereve të përfshira në tregim. Është një luftë që jo të gjithë karakteret janë të gatshme ta luftojnë, një luftë që i kap këto karaktere në pika të ndryshme gjatë karrierës së tyre.

Regjia dhe skenari i përgatitur nga vet Tony Gilroy (debuton si regjisor), i jep atë shijen e aksionit, aventurës, nxitimit që mund të hasim në disa prej filmave të tij (në veçanti trilogjia Bourne). Është një skenar që përkundër kapjes të më shumë se një periudhe kohore, lehtë ngjyros trashë kufijtë e këtyre periudhave.

Derisa Tilda Swinton fiton Oskarin për rol dytësor (kategori jo aq e fuqishme atë vit, për mendimin tim), aktrimi që bie në pah është edhe ai i George Clooney e Tom Wilkinson. Që të dy me mëritë kanë fituar nominime, por me mëritë edhe janë mposhtur. Sidoqoftë, paraqitjet e tyre janë goxha mjeshtërore derisa portretizojnë karaktere të cilat, siç e përmenda më lart, janë në luftë me vetveten edhe pse në faza të ndryshme.

Edhe sot, ‘Michael Clayton’ mbetet film ndoshta me temë të rëndomtë, por me një skenar dhe aktrim të veçantë nga ansambli i përfshirë. Nota personale: 4/5