Categories
Filma

Mile 22 (2018) – Recensim

Besoj që një pjesë e madhe do të pajtoheshin që për filmat aksion & kriminalistik më të mirë se Mark Wahlberg vështirë është të gjejmë për momentin. Dhe me këtë mendoj në filmat aksion që nuk përfshijnë rrahje dhe kontakt direkt fizik, ashtu siç mund ta definojnë një pjesë e konsiderueshme këtë zhanër. E kur Mark Wahlbergun e bashkojmë me Peter Berg në regji, atëherë si rezultat na del rezultate si ‘Patriots Day’, ‘Lone Survivor’ e ‘Deepwater Horizon’.

Po të krahasoja ‘Mile 22’ me të lartpërmendurit, mund të isha i padrejtë për rreshtimin në një kolonë të filmave pak të ndryshëm. ‘Mile 22’ has në pengesa për të arritur kualitetin e dy të parëve në listën e epërme, por jo për faktin që është realizuar më keq, sa për faktin që është film më ndryshe.

Tek ‘Mile 22’, Mark Wahlberg na vjen në rolin e James Silva – një pjesëtar i një njësie sekrete të CIA-s, e cila pasi eliminon një njësit të spiunëve rus në fillim të filmit, shpërngulet në Rusi në parandalim të një sulmi eventual mbi SHBA-të. Aty, në ambasadën amerikane paraqitet një polic vendas i cili pretendon se ka një shifër sekrete që do të ndihmonte amerikanët në misionin e tyre. Por, kjo ka një çmim – ekstradimin e tij në SHBA. Për të realizuar këtë, ata duhet të shmangin forcat vendore të cilat e konsiderojnë policin në fjalë si një tradhtar, dhe ta dërgojnë atë në aeroportin e improvizuar i cili është 22 milje larg.

Tashti, mund të hasni në kritika dhe komente negative në lidhje me këtë film, por mendoj se janë të padrejta. Filmi ka një temë paksa të komplikuar, përzier, por mund ta kuptoni fare lehtë nëse e shikoni me pak vëmendje. Filmi ofron atë të cilën e promovon para se të nis – një triler aksion i përzier me krim. Ansambli është i zgjedhur mirë për shumicën e karaktereve. Aksionet, përfshirë edhe aktrimin e ansamblit, japin një ndjenjë reale të ngjarjeve. Pra, nuk dëshpëron në asnjë aspekt, e edhe është tamam i gjatë. Nota personale: 4/5