Plan B*

Dhe pastaj, kemi fytyrën e një djaloshi, një çupë kokulur lexon diçka në karrigen para, dhe në pasqyrë shohim një nënë që vozitë veturën pas një kamioni nëpër një rrugë rrethuar me një natyrë që të ngop sytë me bukuri. Gjithë kjo shoqërohet me tinguj muzikorë që të premtojnë një udhëtim të këndshëm. Megjithatë udhëtimi përfundon shkurt, para një ‘vagon-shtëpie’ të zgjatur, ku shohim edhe patriarkun e familjes.

Dhe më e mira ende nuk ka ardhur!

‘Minari’ është film që të kënaqë zemrën në çdo aspekt, dhe…

Një familje koreane zhvendoset në shtetin e Arkansasit, gjatë viteve 1980ta, në kërkim të një të ardhme më të mirë. Ideja e tyre është që të zhvillojnë një fermë të suksesshme, por para se të arrijnë tek ky cak, jeta nuk është aq e lehtë.

Mundimet në adaptimin në punën e tyre primare – ndarja e zogjve të pulave sipas gjinisë; adaptimin me shoqërinë vendase dhe zakonet e tyre, disa prej të cilave nuk kanë kuptim për ta; dhe mbi të gjitha kujdesi për fëmijët, sidomos për Dejvidin e vogël i cili ka një sëmundje që nuk i lejon të mundojë shumë zemrën, do të na përcjellin përgjatë gjithë kohës, duke na afruar këtë familje me një familje me probleme reale, larg botës së filmit.

Për këtë Plani B është më i rëndë se plani A, sepse dështimi i dytë dhemb më shumë dhe të afron tek kolona e humbësve! Ndoshta që në planin B provojnë të nxjerrim atë që kemi humbur në planin A. Dhe kështu çdo plan pasues vetëm sa rëndohet.

Xhejkob, Monika, vajza e tyre Anë, e cila mbetet padrejtësisht nën hijen e Dejvid, janë karaktere aq të dashura që të ‘detyrojnë’ të bësh tifo për ta. E karakteri më i mirë vjen në rolin e gjyshes, e cila vjen të adaptohet në jetën e re të së bijës dhe familjes së saj.

Dhe gjyshet janë diamante!

Lidhja e gjyshes me Dejvidin, është ajo që merr dritat e shfaqjes për pjesën e mbetur të filmit. Është një lidhje karakteresh që na ngrohë deri në fund, është ajo që i jep kuptim këtij filmi. Kjo, dhe lidhjet tjera, janë aq origjinale falë një aktrimi të përkryer nga të pestit.

Aktrimi, kinematografia falë natyrës së mrekullueshme, muzika, e edhe zëri që kap detajet e natyrës është i përsosur.

Minari është një film me aromë terapie. Nota personale: 5/5

*Plan B është emri i kompanisë së produksionit, por përshtatet me idenë e filmit, dhe prandaj është përmendur e shtjelluar në këtë recensim.

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: