Categories
TV Reviews

Modern Family – Recensim serie

Kohë pas kohe, në jetët tona shfaqen seriale që zënë vend në karakterin tonë, duke u kthyer në një pjesë të përditshmërisë sonë.

Qoftë me citate apo skena që i japin formë momenteve të ndryshme në jetën tonë, qoftë vetëm duke qenë aty, për 11 vite, 250 javë, çdo mëngjesi së të enjteve.

Tri familje, 11 karaktere fillimisht, të cilat nuk mund t’i ndajmë nga njëri-tjetri kur na kërkohet të bëjmë një krim të tillë. Dhe këto karaktere zgjerohen, duke kaluar edhe pragjet e shtëpive të këtyre tri familjeve, nga Dillan e Didi deri tek Ronaldo e Peperi. Që të gjithë zënë atë vendin e duhur në seriall duke jetën e këtyre familjeve moderne përgjatë lëkundjeve të jetës.

E jeta si momentet e mira i ka edhe ato të këqijat. Danfit, Priçetët, e Takeri, në të dyja polet e jetës, në çdo çast, pranë tyre kanë familjen e tyre.

Ndonëse nuk ka qenë komedia e parë ‘serioze’ (pa trakë së të qeshurave) për mua, prapë disi i ka dhënë një shije të ëmbël këtij lloji të komedisë. Sepse, në këtë komedi e vëren që me një shkrim e aktrim të zgjuar, komedia e mirë nuk ka nevojë për trakë së të qeshurave.

Të 250 episodet e arrijnë një cak – përfshirjen e të tri familjeve qoftë edhe në minimum, skenat komike dhe gjithmonë ngushëlluese e emocionale, që të dyja të kombinuara në dialogë të këndshëm.

Sigurisht që të 250 episodet nuk janë në një nivel të barabartë. Kemi disa super-episode, që kalojnë disa shkallë më lartë si për kreativitetin e shkrimit, ashtu edhe për trajtimin e temave që nuk kanë në vete substancë komike – sikur vdekjet e familjarëve, apo tragjedi tjera të ngjashme. Por, aftësia e përfshirjes së këtyre gjërave, dhe gjetja e momenteve komike, na rikujtonte që në çdo situatë, ka hapësirë, së paku për të buzëqeshur.

Kur je njëmbëdhjetë vite me të njëjtit njerëz, disi i sheh sikur këto karaktere edhe në veprat tjera në të cilat do të angazhohen më pas, e janë angazhuar edhe më parë. Për këtë arsye, do të jetë e pamundur të mendojmë dikë tjetër në rolin e Fill Danfit, Kameron Takerit, e Xhoi Priçet për shembull. Nuk do të ishte mbivlerësim të themi se të 11tët e kanë gjetur veten në karakteret e tyre duke shkëlqyer që nga sezoni i parë.

Përfundimisht, ‘Modern Family’ mbetet një komedi familjare të cilën duhet ta shohim të gjithë. Gati të gjithë jemi të ngujuar në situata të ngjashme me ato të këtyre tri familjeve moderne. Gati të gjithë do të gjejmë veten në disa nga këto karaktere – ndoshta duke dashur të jemi si Xhoe e Gloria, përfundojnë si Fill e Kllerë. Me rëndësi është të gjejmë momentet e këndshme që na bëjnë të buzëqeshim e qeshim. Gjithmonë. Nota personale: 5/5