Categories
TV Reviews

Modern Love – Sezoni 1

Si do të definonit dashurinë moderne tek ne? Nga mësitët dhe martesat pa njohur bashkëshortin deri natën e martesës deri tek fishkëllimat e ‘ooo shpiert, paja paja se m’kalle kejt, oj loooqkë’, dashuria tek ne ka stagnuar, e veç sa ka lëvizur mbrapa kur vije siguria dhe përfillja e mendimit të gruas.

Mirëpo, diçka e mirë ka ndodh!

MË NË FUND! NDODHIIIIII!

Më në fund, një seri Hollywoodi sjell një karakter shqiptar pozitiv, i cili në plan të parë nuk duket edhe aq i mirë. Është portieri i nënës së famshme, Cristin Milioti, Guzmini, i portretizuar nga një aktor rumun i cili ngjan së tepërmi në Salsano Rapin e Portokallisë. Ai është sikur një berber, i cili di të gjitha problemet, por ky shkon një shkallë më lartë. Është një engjëll mbrojtës, i tepruar në plan të parë për karakterin e Cristin Miliotit. Tema e saj zgjat vetëm 30 minuta, si shumica e tetë episodeve në këtë mini-seri bazuar në kolumnën me të njëjtin emër në New York Times!

Episodi i dytë sjell Dev Patel në rolin e një krijuesi të një aplikacioni takimesh romantike dhe gazetaren Xhuli, portretizuar nga Catherine Keener. Të dy sjellin versionet e tyre të dashurisë që prekin më shumë se që presim jetët e tyre në vazhdim. Është ndër episodet më të mira, por jo më i miri.

Është episodi i tretë që sjell Anne Hathaway në rolin e një gruaje bipolare, me të cilën mund të bashkë-ndiejnë të gjithë ata që kanë pasur probleme me sëmundje mendore, nisur nga vet unë. Ndoshta edhe fakti që i ngjanë një muzikali dhe ka Hathway në karakterin kryesor e bën edhe më të dashur për mua këtë episod.

I katërti është ndër ata që kërkojnë më së shumti durim, dhe disi përshtaten për ata që vetëm janë në moshën e mesme. John Slattery (Mad Men) dhe Tina Fey (30 Rock) sjellin një çift martesor që kalojnë nëpër një terapi çiftesh për shkak të diferencave të tyre në profesion. Është në stilin ‘nëse është e prishur, e ndreq e nuk e gjuan.’

Tek i pesti kthehemi tek problemet mendore dhe obsesionin me rrjetet shoqërore, me John Gallagher Jr, e Sofia Boutella në rolet kryesore. Është ndër tregimet më të ëmbla, dhe që i përshtaten më së shumti tregimeve romantike të kohëve të fundit.

I gjashti sjell një studente jetime dhe një bashkëpunëtor në moshë, që nis sikur diçka me problemet e ‘kompleksit të babait’ të Frojdit. Është ndër episodet më të sikletshme pasi të mban gjithmonë në dyshim se çfarë do të jetë fundi, për të cilin as vet ti nuk e dinë dëshirën tënde qartazi.

I shtati sjell të bukurën Olivia Cooke, si një ‘rrugaqe’ nomade e cila vendos të japë për adoptim fëmijën e saj tek një çift homoseksualësh portretizuar nga Brandon Kyle Goodman, dhe i madhi Andrew Scott i cili pas ‘Fleabag’ vjen edhe me një rol fantastik që të le në kujtime të largëta Moriartin e Sherlockut. Aktrimi i tij, dhe sidomos harmonia që ka me Cooke në shumicën e skenave e bën këtë episod ndër më të mirët e krejt serisë.

E episodi i fundit përfshin një lidhje edhe më në moshë, me një temë të ëmbël e të këndshme, e cila përfundon më herët se që pritet duke kryqëzuar jetët e të gjithëve në një stil të ‘Love Actually’.

‘Modern Love’, miniseri të cilën mund ta përfundoi për katër orë dhe brenda një ditë, do të ju ëmbëlsojë ditën dhe më shumë, duke dhënë një jehonë ngrohtësie dhe dashurie që patjetër se do të ju prekë thellë në zemër. Është ndër prodhimet më të mira të vitit dhe vet Amazon Prime Video-s si shërbim. Nota personale: 5/5