Nëse jeni duke përcjell Olimpiadën Dimërore në Eurosport (eurosport player është i përkryer, e për lajme Borozani ;)), atëherë keni mundur të vëreni se si tre medalistët radhiten tek fundi i shtegut dhe presin tjerët të përfundojnë garën, në cilindo sport qoftë ajo. Si zakonisht, më i miri nga rrethi i parë lëshohet i fundit në finale, dhe zakonisht i treti që është duke pritur gabimin e të fundit të marr medalje, për 0.01 sekondë nganjëherë mbetet pa medalje. I katërti.

I katërti në Olimpiadë nuk ngjitet në podium, dhe Molly nis narracionin e filmit duke treguar se si pozita e katërt mendohet të jetë momenti më i dhimbshëm në jetën e një sportisti. Është një monolog narrativ në stilin e Aaron Sorkinit – njërit nga skenaristët e mi të preferuar, prandaj mund të mos jem shumë objektiv në recensimin e këtij filmi.

Filmi është i bazuar në jetën e Molly Bloom, një skitare e cila për shkak të lëndimit, vendos të lë sportin dhe të merret me çkado që do ti dal në rrugë. Ndër gjërat e para që i del në rrugë është ndihmëse e një personi të dhënë pas pokerit. Pokeri, basti, dhe kumari, janë të lejuara vetëm në vende të caktuara në SHBA!

Për këtë, Molly nis një lojë pokeri, duke provuar të mos thyej ligjet që ndalojnë përfitimin nga bastet e kumarxhinjve. Megjithatë, ligji për tatim ka zënë edhe Al Caponen, e lëre më Molly Bloomin.

Jessica Chastain është një grua e fuqishme në skenë. Ka zënë Bin Ladenin, ka përcaktuar fitues zgjedhjesh, dhe tani vjen në lojën e pokerit në film. Nuk ka pasur emër më të përshtatshëm për këtë rol, të cilin Chastain e mbërthen duke ofruar një paraqitje tejet të bukur, një aktrim që ka merituar nominim për Oskar pasi është në pesë më të mirët të vitit.

Aktrimi përshtatet për mrekulli me skenarin e Sorkinit i cili me qëllim devijon nga tregimi i plotë i historisë, por duke mos ndryshuar faktet themelore. Ndër ndryshimet është edhe karakteri i portretizuar nga Idris Elba.

Me anë të karakterit të tij, Sorkin hedh një paralele në lidhjen babë-bijë, diçka në të cilën provon të ndikoj dhe të marr mësim njëkohësisht Molly. Babai i Mollyt, që vjen në Kevin Costnerin, goxha të mirë në këtë film, ka një hapësirë të konsiderueshme në film. Tek të gjitha karakteret, si zakonisht, edhe këtu Sorkin vendos pika të dobëta. Është diçka tipike Sorkiniane.

Është një film me thelb, me skenar të mirë, një histori interesante, përkrahur me aktrim të shkëlqyeshëm të Jessica Chastain, pa lënë në prapavijë as kontributin e kastit dytësor. Nota personale: 5/5

 

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: