Një punëtor muzeu pas një dite të lodhshme shtrihet të fle. Lidh këmbën për shtrati dhe…
Për dallim prej asaj që vjen në Fifty Shades a 365 Days, udhëtojmë me të në një botë sa antike, sa imagjinare, sa… kërkush nuk e di!
Stiven Grent humbet për një kohë dhe mëson që mund të jetë një super-hero, e njëkohësisht edhe një mercenar. Në momentin që mbyllë sytë e humb veten, askush nuk e di se kush a çka do të shfaqet. E gjatë episodit të parë, as ne si shikues.
Dhe në fund të episodit të parë të gjithë mbetemi në kërkim të përgjigjeve, ose imazhit të atyre tjerëve që pushtojnë trupin e Stivenit.
Përgjigjet nuk të vonojnë, por sa do të jenë lehtë të kuptueshme, varet nga sa jemi të dhënë pas universit të Marvel. E personalisht nuk jam nga fansat e mëdhenj, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kënaqem pa kërkuar shumë përgjigje e kuptim në krejt ato që ndodhin.
Dhe për mësysh një kallaballëk gjërash ndodhin.
Secili episod është dyfish më i hatashëm se episodi i kaluar, dhe lum ata që s’do të kenë nevojë të presin një javë për episodin e radhës.
Pastaj finalja… pa koment!
Fillimisht, Oscar Isaac që luan rolin kryesor, me aksentin britanik nuk më ka pëlqyer. Dukej sikur i jepte zor shumë. Por, episodi i dytë është tjetër muhabet. Aktrim fenomenal përgjatë gjithë serisë. I jashtëzakonshëm.
Dikush tjetër i jashtëzakonshëm – zëri i F. Murray Abraham që zëron Konshun. Rrëqethje!
Në karakter tjetër vjen Ethan Hawke me një rol që i përshtatet, por për shkak të antipatisë paraprake ndaj tij si aktor, nuk më është dukur diçka i veçantë, ndihmuar pak edhe nga karakteri bërllog që ka!
Motra e Ramit nga Ramy, May Calamawy vjen në rolin e Layla El-Faouly që ka një rol dytësor gjatë serisë.
Në listën e serive të Marvel nuk di ku do e rendisja, por e di që do e vendosja në një raft të veçantë! Është ndryshe, nuk është seri super-heronjsh. Është më shumë psikologjike! Nota personale: 5/5