Nuk ka send ma të thatë se sa kur dikush të pyet qysh je edhe ti ja kthen “mirë, mirë, ti?”

Në këtë mirë, fshihet ni libër përgjigjesh, të cilat mund të shpjegojnë shumë aspekte të jetës sonë, mirëpo nuk lodhemi me ja tregu nojkujt sepse s’ja vlen.

Nëse përgjigjemi që diçka nuk është në rregull, menihere vjen ajo replika:

“djali i ri, ec more, ti kështu-ashtu, ashtu-kështu…”

Nëse përgjigjemi me diçka të mirë, marrim ni kompliment që e dimë që po teprohet.

Të dyja përgjigjet janë të thata thellë në vete.

Nga e para, kryesisht bashkëbiseduesit provojnë të kalojnë në tema ma pozitive, sepse tuten që po shkojmë me ni pikë të frikshme e pikëlluese, nga instinkti njerëzor që nëse nuk e përmend ni të keqe, gjasat që ajo me ndodh janë ma të vogla, prandaj mendimi pozitiiiiiv.

Te e dyta, nëse ke diçka të mirë, menihere vjen lista me veprime e hapa që duhet të merren për me bo këtë diçka edhe ma të mirë. Domethanë, nuk mundesh kurrë mu ngi, po me i grahë misionit kapitalist ditë e natë.

E me m’pyet mu qysh jam, ju tuti :p

Veç pyetni disa nga shoqnia e ngushtë se çfarë trauma kanë marrë nga disa përgjigje, të vërteta, të frikshme, të çuditshme… traumatike!

Nuk osht që du mu dalë si ‘ma speshëll’, po nëse pyesni qysh jam, unë ju tregoj, edhe mundem edhe me ju mbajt monolog, i cili padrejtësisht zgjerohet nga arsyetimi i asaj gjendjeje shpirtërore e fizike, në tentim për me bind bashkëbiseduesin se përnime jemi në gjendjen në fjalë, nga e cila do të kalojmë në një gjendje tjetër më pozitive, në mendimin e tyre, derisa gjendja aktuale e jona të mos ndikojë negativisht në gjendjen e tyre psiko-fizike.

Po, në shumicën e rasteve, e themi ‘mirë’, ose diçka ma në hajgare ‘pleqniaaaa’, për të marrë drejtimin e bisedës, ku tani unë baj pyetjet, të cilat nuk ndalen deri në fund të bisedës. Kur vjen fundi, dhe bashkëbiseduesi kujtohet të na pyet, e kemi atë ‘tjetër herë flasim për mua’, e kjo hera tjetër nuk vjen kurrë, sepse ashtu menaxhojmë bashkëbisedimet e komunikimet me rrethin.

Dhe kjo osht për mos me ju tregu se qysh jemi njëmend.

Nuk po du me paragjyku bisedat e tjerëve ndërmjet vete, po si vesh i tretë, më ka rastis m’i ngu disa të tilla. Ka qenë moment i sikletshëm.

Janë biseda që kanë një fillim, një mes, e një fund, dhe përgjigjet të thurura paraprakisht. Kanihere kur zgjasin tepër kalojnë nëpër paragjykime e thashetheme, për palë të treta.

E unë, mendoj që dy njerëz, munden me komuniku për vet ata dy me ditë pa u ndalë.

Jeta që bëjmë në botën që jemi, osht shumë e pasun mu marrë me tema të kota, punë të hallkit, e paragjykime. Veç një ‘qysh je?’ mundet mu përgjigje me 15 minuta.

Po neve nuk na intereson qysh është bashkëbiseduesi, sa na interesojnë qysh po ja bojnë tjerët, edhe çka mundet me na tregu bashkëbiseduesi për këto.

Prandaj, nëse doni me ditë përnime qysh jam, mos m’thoni ‘qysh je?’ se ju mbajë dy orë bllok ligjërata!

Ani ‘çka bone?’ mundet me shku deri në tri orë ligjërata!

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: