Nuk besoj që keni dëgjuar një nënë të jetë më fëmijë se fëmija e saj!
Por, që babai është më fëmijë se fëmijët e tij, dhe një barrë shtesë për bashkëshorten, e shpjegon edhe Frojdi në disa mënyra! Një baba i tillë është edhe Danielli, të cilin e lë gruaja e tij, Miranda, pasi nuk bëhet një “burrë”, një baba, një i rritur.
Si shumë veta, edhe Danieli e ka idenë te loja e argëtimi me fëmijë, derisa nuk gjen një punë stabile për shkak të karakterit të tij të papjekur!
Pas divorcit, kur humb të drejtën e kujdesit ndaj fëmijëve, për arsyet e lartcekura, Danieli vendos të aplikojë për rolin e dados së fëmijëve të tij. Për këtë ai duhet të maskohet si një zonjë emrin e të cilit e gjen duke bërë një kombinim të dy gjërave që sheh para syve kur pyetet për emrin e tij.
E kur bëhet zonjë, atëherë ai nis të veprojë si një baba që kërkonte Miranad.
Madhështia e Robin Williams në aktrim vërehet qysh në skenën e parë kur e shohim duke kryer një punë në film që e kryente edhe në jetën reale – dublimin e filmave. E kjo vazhdon duke shfaqur dy karaktere për pjesën më të madhe të filmit, nganjëherë edhe të dyja në të njëjtën skenë.
Nuk do të thosha që është njëri ndër karakteret më të mira të RW, pasi do i bëja padrejtësi edhe dhjetëra karaktereve tjera, por padyshim është ndër më të rëndit për të, më së miri të aktruar, dhe ndër më të veçantit.
Sally Field vjen në rolin e Mirandës, derisa Pierce Brosnan në rolin e të dashurit të saj, derisa fëmijët nuk kanë lënë ndonjë gjurmë tjetër pos Matildës në Matilda. Regjia vjen nga Chris Columbus, i cili vite më vonë do i jepte flakën serisë më të suksesshme filmike të filmave për fëmijë – Harry Potter, pasi vite më parë i kishte dhënë flakën dy filmave të parë të Home Alone (pasi tjerët nuk ekzistojnë.)
Mrs. Doubtfire mbetet ndër filmat më argëtues për familje me fëmijë, si shumëçka e Chris Columbus. Nota personale: 4/5