Për shumë fansa të Marvel, por edhe titujve tjerë me super-heronj, historia e Kamala Khan në këtë mini-seri mund të jetë sikur një realizim ëndrre, ashtu siç i ndodhë Kamalas.
Gjatë Avengercon ajo mëson që ka super-fuqi të cilat fillimisht do e habisin, e pastaj do të fillojë të hulumtojë vetën e të kaluarën e saj, si çdo super-hero tjetër, ashtu? Pak a shumë më ngjasonte me Spiderman, nuk di pse.
Heroinë myslimane
Por, ajo çfarë e bën të veçantë historinë e Ms. Marvel është përkatësia e saj religjioze. Për dallim nga shumë, Kamala Khan është myslimane. Kjo po që është një qasje më ndryshe e Marvel, dhe shumicës së titujve hollivudian pas të 2000tave.
Sigurisht, që skeptikët do e shohin si një tentim për të ‘globalizuar’ si Avengers e botën e Marvel, ashtu edhe për të joshur një audience të re, e cila ashiqare është e impresionuar nga kjo – nisur nga unë.
Kjo freski në botën e Marvel është e realizuar goxha mirë, si në shtjellimin e historisë së Kamalasë ashtu edhe në realizimin teknik, që është një qasje ndoshta disi më ndryshe, nxitur nga super-fuqia e Kamalasë.
Faza e katërt?
Pos që trajton jetën e një super-heroine në një familje myslimane, me krejt traditat kryesore, Marvel qartazi përgatitet të japë një pasqyrë themelore për karakteret e reja që do të shfaqen në fazën e ardhshme të Marvel, e katërta, e pesta, kush po numëron më.
Më pëlqen kjo qasje, pasi tash do kem më shumë informata për Ms. Marvel, ndonëse jo sa fansat e Marvel e lexuesit e stripave.
Iman Vellani në rolin kryesor, për të cilën është i pari, përçon për mrekulli karakterin e saj. Entuziazmi i saj si fanse Ms. Marvel mund të vërehet në shumicën e episodeve që veç çka e bën karakterin më të dashur, e krejt serinë më origjinale.
Ka qenë një mini-seri goxha e këndshme që ka ofruar gjithçka që do të donim nga një portret i shkurtër i një super-heroine. E shkruar mirë, e realizuar teknikisht bukur, por me një aktrim më sipëror. Nota personale: 5/5