Ku është dallimi ndërmjet një kali dhe një zezaku në një betejë? Zezaku mund të gjuaj me pushkë, prandaj rëndësia e tij është më e madhe!
E ku është dallimi ndërmjet një kali dhe një zezaku në Mississippi? Kali ka më shumë dashuri dhe respekt nga të ‘bardhët’ se sa një zezak!!! Dhe jo vetëm para 70 viteve kur zhvillohet ngjarja në filmin ‘Mudbound’.
Filmi sjell rrëfimin e dy veteranëve të Luftës së Dytë Botërore që kthehen në shtëpi pothuajse njëkohësisht. Njëri është pronar i fermës, tjetri është punëtor. Garrett Hedlund sjell Xhekin si të birin e pronarit të fermës, Papit që vjen nga Jonathan Banks. Në anën tjetër është Jason Mitchell në rolin e Ronsel Xhekson, të birin e Hapit nga Rob Morgan. Këtë të fundit keni mundur ta shihni në seri të ndryshme në role dytësore, ngjashëm si Banks i cili është i njohur nga ‘Breaking Bad’ dhe tani ‘Better Call Saul’. Hedlund nuk ka ndonjë përvojë të madhe, derisa Mitchell së fundmi është në filmat kryesor që kanë të bëjnë me racizmin, si dhe ‘Straight Outta Compton’.
Megjithatë, aktrimi i të gjithëve mbetet nën hijen e dy aktoreve në rolet kryesore, karaktereve kryesore tek të dyja familjet. Mary J Blige vjen në rolin e nënës së Ronselit, derisa Carey Mulligan është kunata e Xhekit, gruaja e vëllait të madh të tij, Henryt që vjen nga Jason Clarke. E përderisa Mulligan ka kohë që shkëlqen nëpër rolet e saja që i ofrohen, për Mary J Blige është një rol interesant të cilin e kryen me zotësi goxha befasuese për të gjithë.
Tregimi është mirë i shtjelluar nga Dee Rees, i cili bën edhe regjinë i vetëm për dallim nga skenari. Kur kemi parasysh përvojën e tij, atëherë mund të konstatojmë që ky është një film mirë i realizuar. Nis ngadalë, por interesant, me lloç. Pastaj kalon nëpër dy botët e ndara nga raca, para se ti bashkoj lufta. Merr një ritëm më të shpejtë kah fundi, që rezulton me një konkluzion pak të papritur. Nota personale: 4/5