Nga të gjitha veprat e Agatha Christie, ‘Murder on the Orient Express’ ka më së paku gjasa të adaptohet në vepër televizive apo kinematografike duke mos humbur madhështinë e saj gjatë këtij transformimi. Dhe është provuar aq shumë, aq shpesh një transformim i tillë, sa që s’ka mbetur më shije në një tentim të këtillë. S’di pse mundohen pa nevojë.
Dhe çdo tentim i ri, për të qenë më origjinal nga të kaluarit rezulton në dështim. Nuk është dështim total sa është dështim për të kapur magjinë e veprës së Agatha Christiet, e cila ka edhe goxha shumë vepra tjera të denja për t’u adaptuar në ekran të madh. Por, në këtë treg komercial, është e zorshme, e pabesueshme të rrezikohen adaptimet e atyre veprave.
Ndoshta nga pesha e veprës, aktrimi i kastës, ndonëse të talentuar, lë shumë për të dëshiruar. Kenneth Branagh vjen në rolin e Errkyl Puarro, nga i cili arrin të adaptoj mustaqe pak më ekstravagante se rolet tjera të ngjalljes së Errkylit. E madhja Judi Dench vjen në rolin e Princeshës Dragomirof, Josh Gad në rolin e ndihmësit të Xhon Kasetit, e Johnny Depp si Xhon Kaseti. Willem Dafoe, Penelope Cruz, Michelle Pfeiffer, e Daisy Ridley vijnë në rolet tjera.
Për ata që nuk janë të njoftuar me veprën, në trenin Orient Express që udhëton nga Kostandinopoja në Paris, gjatë një mbyllje së hekurudhës nga bora në Mbretërinë Jugosllave, vritet njëri nga pasagjerët – karakter i Johnny Depp. Errkyl Puarro është një detektiv i mirënjohur belg, i cili ka zgjedhur shumë raste të zorshme, e është në rrugë për t’u kthyer nga një rast në Lindjen e Afërme.
Këtu është dallimi ndoshta i parë nga vepra origjinale, dhe filmat e tjerë. Dhe ndryshimet janë të kuptueshme në tentimin për të sjell diçka risi. Branagh është i mirë si në aktrim, ashtu edhe në regji. Ka fotografi të bukur, por fundi për fansat e librit është zhgënjyes, e të tjerëve mund t’u pëlqej në masë. Nota personale: 3/5