Categories
Filma

My Dad’s Christmas Date (2020) – Recensim

Një i vdekur nga COVID19, si numër, mund të ju duket sikur asgjë, por, tryeza e asaj shtëpie mbetet pa gjysmën apo çerekun e saj të nesërmen.

Adaptimi pas vdekjes së një anëtari të familjes, pa marrë parasysh shkakun, nuk është i lehtë, sidomos në kohët e festave me frymë familjare. Kjo vlen edhe për Dejvidin dhe Xhulinë, babë e bijë të cilët po vazhdojnë jetën pasi bashkëshortja e Dejvidit dhe nëna e Xhulisë, tani 16 vjeçare, ka ndërruar jetë kohë më parë në një aksident trafiku.

Megjithëkëtë, i përshkruar si komedi – ka disa raste të tilla, por më shumë do e vlerësoja si një përzierje me dramë familjare – ky film dallon nga gati 100 filma të rinj me temë festat e fundvitit që shfaqen në SHBA pasi që është film britanik.

Jeremy Piven, i njohur për fansat e Entourage, vjen në rolin e babait me prejardhje nga SHBA-të, i cili ende nuk ka tejkaluar pikëllimin për tragjedinë që i ka ndodhur. Për ta ndihmuar me përballimin e kësaj tragjedie, e bija e tij, me sugjerimin e mikes së saj të ngushtë, fillon të kërkojë mënyra që t’i gjejë një të dashur babait të saj.

Tashti vjen kjo pjesa e ‘komedisë së butë’ – hapja e profileve në faqet e beqarëve, dërgimi i tij në takime ku as ai vet nuk e di që është në takim, shumica prej të cilave kalojnë e përfundojnë në mënyrë qesharake.

Filmi përfundon më butë se filmat amerikan me këtë temë. Dhe mbi të gjitha, procesi i pikëllimit, si gjithçka tjetër, është individual, dhe përfundon vetëm atëherë kur individi në fjalë është i gatshëm të ecë para.

Në mesin e të gjithë atyre filmave, nuk është më i miri, por mbetet i veçantë për temën dhe trajtimin e saj, sidomos për ata që mund të ndërlidhen me situatën e Evansëve. Ju tjerët keni edhe 80 filma tjerë të rinj. Nota personale: 3/5