Categories
Sport

NBA – Përfundimtaret 2013

playoff

Mungesa e Kronikë Amerikane në dy muajt e fundit nuk ka ndikuar që të ndahem nga liga më e fortë në botë, NBA. Vërtetë ‘problemet’ me play-off ishin zgjedhur moti kohë në Lindje, por pjesa e fundit e Perëndimit ishte e paqartë deri në shtesa të ndeshjeve të fundit. Lakersat edhe pa Koben ia dolën disi të futen në përfundimtare, ndoshta falë keqmenaxhimit të skuadrës time favorite, Jazz. Për Jazz, ndoshta do të shkruaj në një të ardhme të afërt. Sot, do të përpiqem të paraqes pritjet nga përfundimtaret e këtij sezoni të NBA.

Të nisim nga Lindja ku Heat mbesin skuadra për tu mposhtur. Për momentin kampionët aktual janë më se të denjë të përsërisin vitin e kaluar dhe të shtojnë edhe një unazë në koleksionin e LeBronit, i cili tashmë nuk është aq i urryer sa ishte prillin e kaluar. Vet seria e tyre fantastike i bën ata favoritë, jo vetëm ndaj Bucks, por edhe ndaj të 14 skuadrave tjera që janë pjesë e përfundimtareve këtë vit. Milwaukee vjen në serinë e parë të përfundimeve me vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit. Kanë fituar një nga katër duelet kundër Heat, dhe nëse ia arrijnë të fitojnë një në këtë seri do të jetë sukses për ta. Kanë një prapavijë interesante me Ellis dhe Reddick, por akoma nuk janë adaptuar për shkak të kohës së paktë në fushë të tij, derisa Jennings nuk është emër për rezerva. Për Heat, nuk di nga t’ia nis, por le të themi që jo vetëm treshja James-Wade-Bosh do të jetë vendimtare në fitore. Kujdes nga Chris Andersen dhe Ray Allen, të cilët kontribuojnë kur treshes i nevojitet pushim.

Heat fitojnë në katër ndeshje.

Përballja më intriguese në Lindje pritet të jetë ajo ndërmjet Knicks dhe Celtics. Favorit, gjithnjë për mendimin tim janë Knicks. Carmelo Anthony po kalon kohërat më të mira në karrierën e tij profesioniste. Ka pasur një përfundim të hatashëm të sezonit të rregull, diçka që e fut ndoshta edhe në luftë për MVP, por mbi të gjitha Knicks duhet ti gëzohen kthimit të Chandler pasi trapezi ka nevojë për ndihmë sidomos kur shohim pleq si Camby, Wallace e Thomas.

Megjithatë Celtics nuk janë për tu hedhur poshtë. Nëse Pierce dhe Garnett japin vetëm gjysmën nga ato nga piku i karrierës së tyre, kjo seri mund të jetë e shkëlqyeshme. Mungesa e Rondos lëndon tepër Bostonin.

Gjithçka vendoset në ndeshjen e shtatë. Për momentin më shumë përparësi Knicks se sa Celtics.

Indiana kishte befasuar shumë veta vitin e kaluar, por jo edhe mua! Kanë njërën nga skuadrat më të talentuara në NBA. Me pak manovrime me paga mund të ruajnë themelin për një gjeneratë që do të sfidonte Heat në perëndimin e dinastisë së tyre (kuptohet nëse fitojnë edhe këtë vit). Hibbert ka pasur probleme në sulm në krahasim me sezonin e kaluar, sidomos pas All-Star pushimit. Jo shumë mirë ka qenë edhe Paul George, por megjithatë janë një skuadër që mund të ofroj më të mirën kur nevojitet. Kanë nevojë për një ofensivë më të mirë. Derisa Hawks nuk mendoj që kanë aspirata të mëdha. Problemi i tyre kryesor nuk besoj që është finalja e konferencës apo titulli, por era pas Josh Smith.

Indiana kalon, por jo edhe pa ndonjë fitore të Hawks.

Përballja më e barabartë pritet të jetë ajo ndërmjet Bulls dhe Nets. Gjithçka varet nga shëndeti i dy yjeve të Nets. Nëse DWill dhe Brook Lopez janë të shëndetshëm dhe në formë, Bulls mund të shpresoj në ndonjë mrekulli. Lëndimi i Derrick Rose ka shkaktuar mjaft dhimbje tek Bulls, e jo shumë mirë punët me shëndet i ka edhe Joakim Noah. Shumica presin befasi në këtë duel, ndonjë kalim eventual të Bulls. Për mua, Nets janë favoritë të padiskutueshëm.

Në Perëndim, Thunder mund të kenë probleme më shumë se Heat në Lindje. Problemi i parë mund të jenë Houston Rockets. Do të jetë James Harden i cili mund të shkaktojë më së shumti kokë dhembje ish-skuadrës së tij, edhe pse këtë nuk ka arritur ta dëshmojë në sezonin e rregullt, por përfundimtaret janë krejt diçka tjetër.  Harden me Lin jashtë mund të kontribuojnë më pak se sa Omer Asik në trapez. Turku ka rilindur këtë vit me Rockets dhe mund të përballojë Ibakan deri në një masë. Megjithatë Thunder nuk ka dyshim se do të kalojnë këtë rreth. Nuk jam i sigurt nëse janë të pjekur për titullin e më të mirit, por në finalja e Perëndimit është minimumi që mund të bëj kjo skuadër.

Manu Ginobili është tepër i nevojshëm për Spurs. Aq i nevojshëm sa që mund tu kushtojë edhe me titull në Perëndim. Por, nuk është më i nevojshëm se sa Kobe Bryant për LA Lakers. Mëzi siguruan përfundimtaret, dhe s’do të arrijnë më shumë se një fitore. Dwight Howard ka pasur një sezon të dështuar, e Steve Nash tashmë është koha të pensionohet. Lakersat jo vetëm këtë vit, por mund të kenë probleme afatgjata nëse nuk rikonstruktohen siç duhet.

Spurs kanë skuadër aq të fortë sa që edhe pa treshen legjendare që në përfundimtare pritet të jetë vetëm dyshja e plakur Duncan-Parker mund të arrijnë deri në finale. S’do duhej të lodheshin më shumë se pesë ndeshje me Lakers në rrethin e parë.

Skuadra që mund të befasojë nga jashtë janë Denver Nuggets. Kanë përfunduar sezonin në mënyrë të shkëlqyeshme, derisa u lëndua Danilo Gallinari. Shitja e Melos vetëm sa ka përforcuar këtë skuadër që nuk duhet të ketë probleme të mposht Warriors të cilët nuk janë shumë të relaksuar në trapez pas probleme me lëndime (befasi!) të Andrew Bogut. Golden State nuk bën të nënvlerësohen, por Nuggets janë shumë të mirë, finalja është imperativ për ta. Gjysmëfinalen do ta arrijnë me ndoshta gjashtë ndeshje.

Përballja më interesante pritet të jetë ajo ndërmjet Clippers dhe Grizzlies. Të dyja skuadrat së fundmi kishin luhatje në formë. Tani ka ardhur koha të mbledhin veten dhe të japin maksimumin. Grizzlies e kanë bërë këtë edhe më parë, dhe s’do të befasohesha nëse Zach Randolph dhe Marc Gasol përfundojnë çdo ndeshje me DD. Problemi më i madh i tyre do të jetë Blake Griffin. Së bashku me DeAndre Jordan, Chris Paul, dhe rezervistin më të mirë të ligës për mendimin tim, Jamal Crawford, duhet të dëshmojnë se kush janë mbretërit e rinj të LA. Kohë më të mirë për të bërë këtë nuk kanë pasur kurrë.

Është ndoshta i vetmi duel ku nuk jam i sigurt kur zgjedh fituesin. Megjithatë do të shkoj me Clippers të cilët duhet të kapin rastin në këto përfundimtare.

 

Luan Morina

Kolumnist për sporte amerikane dhe autor i Kronikë Amerikane