Categories
lomsh

Në mbrojtje të Adam Sandler

Vetëm Tom Hanks e Tom Cruise kanë pasur sukses më të madh kinemaje se sa Adam Sandler në dekadën e parë të këtij shekulli. Dhe derisa dy të parët konsiderohen ikona të kinematografisë, Sandler nënçmohet si një aktor bajat me filma të pështirë të cilët nëse i sheh duhet të turpërohesh para të tjerëve.

Megjithatë, ai ka vazhduar të thith dollarët nga kinematë, nga njerëzit e thjeshtë sikur ne. Me plot mëritë.

Konsiderohet si një fundërrinë, por, së fundmi për Sandlerin janë ngritur në këmbë për duartrokitje. Dhe atë hiç më larg se audienca e Festivalit të Kanës!

Derisa paraqitja e tij e fundit në filmin ‘The Meyerowitz Stories’ ka befasuar të gjithë në botën e kinemasë, katër minuta duartrokitje kanë filluar thashethemet për një përfshirje eventuale në garën për Oskar.

Por, para se të ndodh një Matthew McConaughey 2.0, ia vlen të hedhim një sy mbi karrierën e Sandlerit deri tashti, dhe ata filma që na kanë kënaqur neve më shumë se ‘shtresën e ngritur të kritikëve’.

Tekefundit, filmat bëhen për shikuesit e gjerë, ata që paguajnë biletën e kinemasë, dhe jo ata që nisen me lopata për gërmime arkeologjike në të gjithë filmat. Disa filma janë të nevojshëm të gërmohen, por shumica na nevojiten të jenë asisoj që të mos i gërvishtim as sipërfaqen. Të tillë janë filmat e Sandlerit.

Nga Billy Madison, tek Happy Gilmore, e The Wedding Singer. Me The Waterboy, Big Daddy, e edhe Mr. Deeds që për dikë mund të jetë një shpërdorim i njërit prej klasikëve amerikan, Adam Sandler ka ofruar atë që ka kërkuar çdo filmdashës – dy orë komedi familjare që të bëjnë të ndjehesh mirë. Në të gjitha ka ofruar këtë, për të vazhduar me dy nga më të mirët të tij ‘Anger Management’ e ’50 First Dates’. Janë dy nga filmat më të veçantë të Sanlderit për shijen time. Janë të ngrohtë, do ti quaja.

E të vazhdojmë me ‘Click’-un që është më shumë se vetëm një komedi familjare, Chuck&Larryn, Zohanin, dhe ‘fëmijët e rritur’. Sandler ka vazhduar të ofroj atë që kërkon çdo familje – komedi të lehtë, të ngrohtë, të lezetshme. Komedi që të bën të qeshësh e buzëqeshësh, pa gërmuar. Komedi për neve shtresat e thjeshta, për dikë ‘të cekëta’. Por, e rëndësishme është që jemi kënaqur dhe kënaqemi me punën e tij.

Pas ‘Pixels’ shumë media e kishin shpallur të mbaruar, të vdekur, çlirim i kinematografisë. Tani ai çohet e vjen me një aktrim që sjell duartrokitje në Festivalin e Kanës. Sa keq që vetëm tashti mund të vlerësohet talenti i tij për të kënaqur masën!

Adam Sandler është dozë e kënaqshme komedie, pa marr parasysh çfarë mund të ju thonë të tjerët!

https://www.youtube.com/watch?v=KX5Z-HpHH9g