Categories
lomsh

Një komb, një kombëtare!

Këto ditë kanë filluar të qarkullojnë zëra për bashkimin e botës futbollistike në mes të dy shteve, Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ide ka zënë vend sidomos në kanalin e ri ABC News. Nuk keni dëgjuar për këtë kanal?! Ja pra tani po dëgjoni.

Në fakt e gjithë ky pluhur është ngritur si reklamë për këtë televizion. Të gjitha palet që mund të vendosin në këtë gjë kanë shprehur rezerva. Pas disa ditëve kjo storie do të zhduket nga mediat ndërsa të gjithë ne do të kemi edhe një kanal televiziv që do ta mbajmë në mend, ABC News. Tërë këtë storie unë nuk e konsideroj asgjë më shumë se një kampanjë marketingu e ABC News.

Nëse zbresim në tokë me këmbë e shohim që kjo gjë është e pamundur për shumë arsye të cilat do t’i shtjelloj më poshtë.

E para sipas statutit të FIFA-s një shtet nuk guxon të organizojë gara të tyre në një shtet tjetër. Kjo është gjëja e parë që bie ndesh me statutin e FIFA-s dhe që do ti shkaktojë probleme. Kosova ka fituar pavarësinë, nuk njihet nga FIFA, por nëse Shqipëria vendos ta përqafojë Kosovën në federatën e saj atëherë rrezikon të suspendohet nga FIFA. Ky është problemi i jashtëm, ndërsa problemet e brendshme janë të shumta. E para është lufta për pozitë. Armand Duka nuk do të heq dorë nga FSHF-ja përjetë. Ai ka filluar të krijoj një imazh të ngjashëm me Zhoao Avelanzh që ka qenë për dy dekada president i FIFA-s. Por, këtu kemi një dallim. Gjatë periudhës së Avelanzh FIFA ka shënuar një zhvillim të hovshëm, përderisa nuk mund të thojmë të njëjtën gjë për Shqipërinë. Ani pse kombëtarja ka arritur në pozitën më të lartë ndonjëherë në renditjen e FIFA-s, kjo nuk i mbulon të gjitha gjërat tjera negative që ndodhin aty. Incidentet e vitit të kaluar në terrenet shqiptare, çdo vit skuadrat shqiptare hetohen nga UEFA për manipulime ndeshjesh, mënyra jo e rregullt e shitjes së të drejtave televizive, ku vet pozita e Dukas shkakton konflikte interesi (është aksioner në SuperSport) dhe shumë gjëra të tjera. Nuk dua ta bëj këtë personale, por, Shqipëria nuk do të donte një kosovar të udhëheqte federatën e tyre, kur nuk dëshirojnë që një kosovar të jetë kapiten i kombëtares. Lorik Cana është futbollisti më i mirë shqiptar për momentin. Ka qenë kapiten kudo ku ka luajtur, Marsej, Sanderlend, por në kombëtaren shqiptare shiritin e kapiteni e mban një futbollist që nuk ka skuadër profesioniste, dhe gjatë tërë karrierës së tij nuk ka arritur as sa gjysma e asaj që ka bërë Cana deri më tani. Për më tepër edhe gazetar shqiptar duke u përqëndruar në ata të Proçesit Sportiv, nuk hezitojnë të fajësojnë kosovarët për mossuksesin e kombëtares siç ishte rasti në ndeshje me Bosnjë e Hercegovinën. Kur të gjithë arritën të shohin që Cana ishte njëri ndër liderët, futbollistët kyç në mbrojtje së bashku me Dallkun, gazetarët e Proçesit Sportiv gjejnë fajtorë pikërisht këtë dyshe.

Valon Behrami, Milaim Rama, Fatos Beqiraj, Xherdan Shaqiri, Shefki Kuqi, Nijazi Kuqi, nuk kanë refuzur kombëtaren e Shqipërisë pa asnjë arsye. Thjesht kosovarët në kombëtare ndjehen inferior, dhe kjo nuk do të ndryshoj asnjëherë.

Për këto dhe shumë arsye tjera shkrirja e FFK-së në FSHF nuk do të duhej të ndodhte dhe nuk do të ndodh kurrë. Maksimumi që mund të bëhet është një ligë rajonale që do të përfshinte skuadra nga të dyja vendet, duke mos ndikuar në ligat kombëtare. Kjo ligë rajonale do të ishte e mirëseardhur pasi skuadrat shqiptare zakonisht bien në kualifikime për kupat evropiane dhe të mërkurat gjatë vjeshtës janë të lira dhe mund të përdoren për ndeshje të kësaj lige rajonale, ku do të merrni deri në 8 skuadra.

Në fund e uroj kanalin ABC News për këtë kampanjë marketingu. Kanë patur mjaft sukses.